Mbyllja dhe distancimi vazhdojnë këtu në Londër, por kam gjetur një vend të ri për të gjerbur kafe. Është një kafene që shërben gatesa italiane dhe kafe të shijshme, por së fundmi, ne, si myshterinj, nuk mund të ulemi brenda dhe të bëjmë qejf. Duhet të rrimë dy metra larg njëri-tjetrit, përfshirë edhe punëtorët në kafene. Por mund të flasim duke respektuar distancën.
Kafeneja “La Cucina Di Daffy” udhëhiqet prej Dafinës, një kosovare që jeton në diasporë, dhe që po ndërton një biznes në Londër. Kafeja është brilante, sikurse edhe ushqimi, por tani duhet të paketohen e të merren me vete në shtëpi. Tashmë nuk është e mundshme që pronarët dhe myshterinjtë të ulen në tavolina në kafene dhe t’ia krisin muhabetit. Gjatë gjithë kohës duhet të rrimë së paku dy metra larg njëri-tjetrit. Më mungon të ha në mjedise të jashtme, dhe Daffyt (Dafinës) i mungojnë myshterinjtë në kafene. Puna po i shkon shumë më ligsht se para pandemisë. Ka njëfarë mbështetjeje qeveritare në përpjekje për të mbajtur në këmbë bizneset e vogla, si i Daffyt, dhe të mund të mbijetojnë derisa të marrë fund kriza e pandemisë; por kurrkush nuk e di nëse kjo është e mjaftueshme që bizneset të mos dëmtohen.
E marr me mend se “La Cucina di Daffy” është vend i mrekullueshëm për të shkuar në kohë normale, derisa myshterinjtë hynë e dalin, duke folur ndërmjet vete dhe me stafin, dhe me vetë ndjenjën që ta ofron komuniteti. Deri tani gjithnjë kam parë vetëm një myshteri që shërbehet njëherësh, dy metra larg dhe asnjë muhabet. Hiç Dafinës, e cila gjithnjë është e qeshur dhe miqësore, duke mirëpritur myshterinjtë, ose duke ua shërbyer kafetë, ose ëmbëlsirat mëngjesore apo ushqimin me verë.
Dafina dhe familja e saj – burri i saj Dany dhe fëmijët e tyre, Doniku e Sara – zakonisht i marrin disa javë pushim vere për të vizituar miqtë dhe familjen në Kosovë. Mbase jo edhe sivjet. Kjo, ngase edhe mund të mos lejohen fluturimet, por edhe për shkak se kur më në fund të hiqen kufizimet, familja duhet të jetë në Londër duke punuar që të vazhdojë biznesi dhe ta kthejnë qarkullimin.
Më duket mahnitëse që bizneset si këto të vazhdojnë punën gjatë pandemisë, mbase jo duke fituar kushedi sa, nëse edhe mund të fitojnë diçka. Megjithatë, vazhdojnë t’u shërbejnë myshterinjve dhe t’u ofrojnë ndihmë njerëzve në nevojë.
Një vend për të fjetur, pak ushqim për të ngrënë e pak ujë për të pirë janë nevoja të domosdoshme për jetën; por jeta kërkon shumë më shumë. Interaksioni njerëzor, një qeshje miqsh, kafe e mrekullueshme dhe ushqim fantastik (e që nuk duhet ta bëni vetë). Këto janë gjëra pa të cilat mund të rrimë përkohësisht, por kur teprohet, e marrim vesh se janë disa prej gjërave më të rëndësishme që i kemi, dhe i shijojmë.
Mbase, para pandemisë, këto gjëra i kemi marrë si të mirëqena. Mbase edhe kemi menduar se infermierët, doktorët, punëtorët e kujdesit shëndetësor, policia, ushtria, zjarrfikësit dhe shumë të tjerë ishin punëtorë që nuk i çmonim aq shumë, dhe mbase i merrnim si të mirëqenë. Por jo më.
Si kafeja dhe ëmbëlsira e mëngjesit, mund të duken të vogla dhe të parëndësishme, por na mungojnë nëse privohemi prej tyre. Kjo është si puna e mjedisit dhe qeverisjes së mirë. Mund të mos e çmojmë kur e kemi, por na mungon kur s’e kemi.
Është thënë se qeveritë më të mira janë ato që nuk bien në sy të popullit edhe aq. Ato që ofrojnë shërbime shëndetësore, shkollim, polici, arkëtojnë taksat dhe kryejnë të gjitha punët që dëshirojmë, por mund të mos vërehen, dhe nuk do të mungonin nëse nuk do t’i kishim. Por ato na u deshën, përditë e çdo javë, e vit pas viti. Dhe ne e dimë vlerën e tyre vetëm kur na ndodh diçka.
Dafina më ka mësuar një thënie kosovare: “Kush s’i do lulet, s’i do as njerëzit”.
E ngjashme mund të jetë edhe politika. Një politikan që nuk i do njerëzit; krejt njerëzit, pavarësisht të kaluarës ose pikëpamjes së tyre, a e duan përnjëmend vendin e tyre? Disa sish mund t’i duan vetëm njerëzit që votuan për ta dhe i sollën në pushtet, pavarësisht margjinës së ngushtë.
“La Cucina Di Daffy” në Londër u shërben kafe dhe ushqim krejt komunitetit, pavarësisht se kush janë dhe prej nga janë. Daffy u shërben të gjithëve pa dallim. Ajo duhet të marrë vendime të vështira, por i merr duke menduar gjithnjë më të mirën për myshterinjtë. Dhe çka është më e mira për myshterinjtë e saj, nëse ofrohet si duhet, në fundit të fundit do të sjellë më të mirën edhe për biznesin e saj.
A munden edhe liderët tanë të thonë sinqerisht se vendimet e vështira i marrin me të njëjtën qasje?
{gallery}