SOT

Baristi që renditi Kosovën të tretën mes 12 shtetesh për kafenë më të mirë

“Kafja nuk është thjesht një pije. Duhet të shijohet, sepse ajo shije të mban gjatë gjithë ditës”, thotë baristi nga Dibra, Migjen Dema.

Si student, Migjeni u zhvendos në Prishtinë, ku filloi të punonte në kafene të ndryshme. Me kalimin e kohës, kureshtja e tij për kafenë u rrit, veçanërisht kur merrte lëvdata nga klientët. Kjo e shtyu që të fokusohej në përgatitjen sa më cilësore të saj.

“Unë jam nga Dibra e pas luftës erdha si student në Kosovë. Fillova të punoj qysh atëherë në një bar të Prishtinës. Si i ri, si barman fillova çdo herë e më shumë me e dashur kafen dhe me e përgatitë me shije. Sidomos kur i shihja klientët e mi se si e konsumonin kafenë që e përgatisja unë, ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme për mua”, thekson ai.

Një përvojë e veçantë për Migjenin ishte pjesëmarrja në një garë ndërkombëtare në Bolonjë të Italisë. 
Në këtë garë për kafenë më të mirë morën pjesë baristë nga 12 shtete, dhe Migjeni arriti ta rendiste Kosovën në vendin e tretë me përgatitjen e tij unike të kafesë.

“Gjatë rrugëtimit tim 25-vjeçar në gastronomi, thuajse të gjitha pozitat i kam pas, por nuk e ndërroj me barman, sepse atë buzëqeshjen që e merrja nga klientët pasi e pinin kafenë ma nxiste kureshtjen edhe më tej ta njoh në detaje edhe kokrrën e kafesë si bëhet. Kështu në vitin 2024 pata mundësi që të shkoj në një garë ndërkombëtare në Bolonja për përgatitjen e kafesë, ku ishin pjesë 12 shtete. Në mesin e tyre arrita që të renditem i treti për kafenë më të mirë”, deklaron ai.

Sipas tij, një nga gabimet më të zakonshme gjatë konsumimit të kafesë në Kosovë është shoqërimi i saj me ujë, gjë që, sipas tij, ia zbeh vlerat.

“Kur del me pi një kafe duhet me ditë çka po pinë, nuk është veç po e pi. Kafja nuk është me e pi shpejt, por e ka kohën e vet, duhet ta përjetosh. Në Kosovë psh pihet gabim kafja, sepse bashkë me të pimë edhe ujë. Kafja ka elemente shumë të mira që ia humb uji nëse pihet paralel me të. Prandaj te ne ka nevojë që tregu me ndryshu edhe vet qytetarët me u interesu dhe të dinë ta dallojnë kafenë e mirë”, thotë ai.

Migjeni vetë konsumon 14 espresso në ditë, shumicën prej të cilave i përgatit vetë por nganjëherë u kërkon miqve apo kolegëve që t’ia përgatisin. 

“Personalisht unë i pi 14 espresso në ditë. Për shkak edhe të punës time të përditshme si barist, kafetë thuajse çdo herë ia bëjë vetes, por ka raste kur i dua edhe nga miqtë a kolegët që ta ndajë edhe ndihmën time për kafe cilësore tek ta”, thekson ai. 

Sipas tij, kafeja është një pije luksi dhe çmimi i saj duhet të jetë më i shtrenjtë. 

“Kafja është lluks, pra i bie që mund ta pish edhe në shtëpi, por nëse vendos ta pish jashtë, atëherë mendimi im është që një espresso a lloj tjetër i kafesë nuk është jashtë normales që të kushtoj më shtrenjtë, sepse dikush thotë një espresso 7 gram e me aq i bën disa kafe, por jo nuk është ashtu. Gastronomia kërkon shumë shpenzime. Është rryma, pajisjet e gjëra të tjera, por fatkeqësisht Kosova nuk e ka një sistem të duhur të gastronomisë”, deklaron ai. 

Sipas Migjenit, mungesa e një sistemi të rregulluar në gastronomi ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e kafesë që shërbehet nëpër lokalet e Prishtinës.