Arbëri

Lekaj ua mundësoi Devollëve ta çojnë Kosovën në Arbitrazh nëse hiqet homologimi

Shteti 3 vjet më parë ia mundësoi edhe një kompanie në pronësi të familjes Devolli që ta dërgojë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, kësaj radhe nëse ndërpritet marrëveshja për homologimin e veturave.

Ndonëse Ministria e Infrastrukturës pati nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Eurolab” në vitin 2008, e në të cilën jetëgjatësia e saj ishte pa afat, dhjetë vjet më vonë u nënshkrua një marrëveshje tjetër.

Në nenin 7 të marrëveshjes së nënshkruar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe Veton Begolli nga “EuroLab”, më 20 qershor 2018, të cilën e posedon KOHA, specifikohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve eventuale mes palëve.

“Nëse palët nuk arrijnë që me marrëveshje ta zgjidhin kontestin, atëherë kompetent do të jetë Tribunali i Arbitrazhit i Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Vjenë (IÇ), i cili do të themelohet sipas rregullave të këtij tribunali, duke zbatuar të drejtën materiale të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë nen.

E gjithë marrëveshja e 2018-s mes kompanisë së Devollëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës ka katër faqe.

Veç në një paragraf parashihet që Ministria e Infrastrukturës mund ta ndërpresë marrëveshjen me “Eurolabin”, por vetëm nëse kompania është duke falimentuar.

“Ministria do të sigurojë se QAK – EuroLab, do t’i ushtrojë aktivitetet e tij në pajtim me legjislacionin në fuqi, dhe në rast të evidentimit të mosplotësimit të kushteve të caktuara për ushtrimin e aktivitetit të homologimit, në rast se futet në procedurë falimentimi ose likuidimi apo pushimit të veprimtarisë me vendim gjyqësor. Atëherë ministria do të revokojë autorizimin dhe kjo marrëveshje do të pushojë së ekzistuari”, thuhet në marrëveshje.

Ministria e Infrastrukturës i ka të përcaktuara tarifat e shërbimit të homologimit, por sipas marrëveshjes këto tarifa nuk mund t’i ndryshojë pa koordinim me “EuroLabin”.

Një marrëveshje e ngjashme fillimisht ishte nënshkruar në vitin 2008 nga Fatmir Limaj. Marrëveshja ishte e pakufizuar në afat, ndërsa më pas autorizimi i ishte lëshuar për 10 vjet.

Edhe marrëveshja e 2018-s është e pakufizuar në afat, por kësaj radhe pa afat të përcaktuar MI-ja ua ka lëshuar Devollëve edhe autorizimin.

Para 3 vjetësh “Eurolabit” i kishte skaduar autorizimi për homologim, por Pal Lekaj kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ 02/2018 me anë të të cilit mundësohet vazhdimi i monopolit të kompanisë “EuroLab” në homologimin e veturave. Kjo gjë shihet në nenin 22 të këtij udhëzimi administrativ, ku shkruan se “Subjekti i autorizuar për ushtrimin e veprimtarisë së homologimit vazhdon ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive sipas nenit 4 të këtij udhëzimi administrativ”.

Qeveria Kurti ka paralajmëruar që homologimi do të hiqet përmes ndryshimeve ligjore, por në agjendën legjislative nuk është një nismë e tillë.

Familja Devolli e ka fituar një rast në Arbitrazh kundër Kosovës në vlerë të rreth 30 milionë eurove për marrëveshjen për Telekomin, ndërsa e ka një tjetër padi në proces sërish me Telekomin, vlera e së cilës është rreth 25 milionë euro.