Driton Hyseni, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në propozimet për ndryshimin e Ligjit për automjetet, do të jetë i përfshirë edhe eliminimi i mundësisë që kompania “EuroLAB” ta dërgojë Kosovën në Arbitrazh.
Të premten Qeveria Kurti miratoi nismën për ndryshimin e këtij ligji, duke përfshirë heqjen e homologimit si pika kryesore. Megjithatë KOHA ditë më parë raportoi se po që se hiqet homologimi, Kosova rrezikon një tjetër padi në Arbitrazh. Firma e vënë nga ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe përfaqësuesi i kompanisë “EuroLAB”, në vitin 2018, ia mundësojnë kësaj të fundit të kërkojë drejtësi në Arbitrazh në rast se Qeveria Kurti e heq homologimin e veturave.
Në Interaktiv të KTV-së, Hyseni ka thënë se në ndryshimet që pritet të procedohen, do të eliminohet kjo mundësi.
“Propozimi që vjen në ligj do të eliminojnë një gjë të tillë. S’do të kemi nevojë të shkojmë në Arbitrazh. Do të jepet një version që nevoja për Arbitrazh të largohet. Do të synojmë maksimalisht që të eliminohet që pala tjetër ta adresojë në Arbitrazh”, ka thënë ai duke mos dhënë detaje të tjera. “Jemi në fazën e draftligjit e do të gjendet versioni më i përshtatshëm që të mos kemi dëme me ndonjë akt të arbitrazhit. Shpresojmë dhe do të punojmë që ligji të ketë përmbajtje që Arbitrazhi të mos vijë në konsideratë”.
Me ndryshimet në këtë ligj, siç është paralajmëruar nga Vetëvendosje dhe Qeveria, do të hiqet obligimi që qytetarët të bëjnë homologimin e veturave të cilat vijnë të certifikuara për të gjitha kontrollet e kryera në shtetet e huaja, sidomos ato të Bashkimit Evropian.
Në Kuvend, sipas Hysenit, këto ndryshime do të shqyrtohen qysh në muajin qershor.
-
Iniciativa për heqjen e homologimit, Kurti: Filloi fundi i zhvatjes
-
Qeveria paralajmëron heqjen e homologimit për automjetet që vijnë nga jashtë
-
Ndryshimet në Ligjin për Automjete përplasin Qeverinë me Vetëvendosjen
-
Në ndryshimet e Ligjit për Automjete hiqet detyrimi për homologim për veturat që vijnë nga Evropa
-
Miratohet heqja e homologimit, opozita kërkon edhe lehtësime të tjera doganore për veturat