Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lekaj i ofron Demajt mundësi për praktikë në MI për studentët e UP-së

Sot, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, u takua me rektorin e universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, me të cilin biseduan për mundësitë e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Universitetit “Hasan Prishtina”, lidhur me krijimin e hapësirës për praktikë të studentëve të profileve të ndryshme në këtë ministri.

“Ministri Lekaj ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Infrastrukturës që të ofrojë kushte për praktikë për studentë të profileve të ndryshme në këtë ministri, gjithmonë duke u mbështetur në ligjet në fuqi dhe në mundësitë që i ka ministria”, thuhet në njoftimin për media të MI-së.

Sipas njoftimit, rektori Dema, gjatë këtij takimi e ka njoftuar ministrin Lekaj, me reformat që po ndodhin në u​niversitetin “Hasan Prishtina” si dhe sfidat me të cilat po përballet ky universitet në rrugëtimin e tij.

Lekaj e Dema, u dakorduan që bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe universitetit të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të dy këto institucione të krijojnë kushte dhe infrastrukturë sa më të favorshme për studentët tanë.