Në mesin e masave për kursim të energjisë, në shtator të këtij viti Qeveria ndaloi ndriçimin dekorativ.
Ky vendim bëri që Komuna e Prishtinës të mos e zbatojë kontratën për ndriçim festiv, të cilën e kishte nënshkruar gjatë verës.
Zyrtarët e Prishtinës thonë se u ankuan në Qeveri dhe kërkuan që të lejohet zbatimi i projektit për të cilin u ndanë 70 mijë euro.
Por, në një konferencë për media ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se do t’i lejojnë komunat që t’i dekorojnë sheshet, por me disa kushte.
“Sa i përket ndriçimit dekorativ, ne planifikojmë që të ndërmarrim masa duke kufizuar kohëzgjatjen, por edhe masën në të cilën këto shfrytëzohen. Komunat edhe qytetarët të kenë vëmendje dhe të mundohen sa më shumë që edhe kohëzgjatja, edhe mënyra e dekorimit, edhe pajisjet për dekorim të jenë aso që shpenzojnë sa më pak”, tha ajo.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i ka thënë KOHËS se dritat nuk do të qëndrojnë të ndezura gjithë natën.
“Kemi planifikuar periudhë kohore më të shkurtër dhe dritat do të ndalen natën”.
Në anën tjetër, qytetarët mendojnë se edhe këtë vit duhet të bëhet dekorimi, megjithëse bëjnë thirrje për kursim të saj.
Edhe qytetet e mëdha evropianë e kanë shkurtuar orarin e ndriçimit festiv e madje edhe rrugët e dekoruara.
Londra, e cila mbante dritat ndezur 24 orë në rrugën e famshme “Oxford”, këtë vit për shkak të krizës së energjisë do t’i ndezë ato në orën 15:00 dhe do t’i ndalë në orën 23:00.