Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK: Ratifikimi i demarkacionit kontribuon në konsolidimin e shtetësisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në një njoftim për media, LDK thotë se e vlerëson përfundimin e sagës trevjeçare që mbajti të izoluar qytetarët e Kosovës.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshje kontribuon në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kjo parti thotë se me votimin pro marrëveshjes, “dëshmoi si gjithherë se interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj janë mbi të gjitha”.

LDK tash pret që “në ditët në vijim institucionet e BE-së të ndërmarrin hapat e nevojshëm që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”.

“Fundi i kësaj tematike mundëson që debati në shoqëri dhe institucionet e Kosovës të përqendrohet në jetën e qytetarëve, në arsim, shëndetësi, bujqësi, biznes dhe integrime evropiane. LDK-ja do të shpalosë së shpejti para qytetarëve të Kosovës platformën e saj për konsolidimin e shtetit ligjor, për zhvillim ekonomik dhe për integrimet euro-atlantike. LDK-ja, me mbështetjen e partnerëve të saj në EPP, do të realizojë misionin e nisur nga Presidenti Rugova për një Kosovë të integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në”, thuhet në njoftim të LDK-së.