Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se e ka përkrahjen e degëve për të vazhduar me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Njoftohet se strukturat drejtuese qendrore dhe lokale të LDK-së e përkrahin qëndrimin e Kryesisë së partisë në lidhje me koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe zhvillimet e fundit në vend.
Përmes një komunikate për media njoftohet se kryetarët e këtyre degëve presin që LDK-ja ta mbrojë legjitimitetin që e kanë marrë nga votuesit.
“Në koordinim të plotë me Kryesinë e LDK-së dhe kryetarin Mustafa, kryetarët e Degëve të LDK-së dhe strukturat e saj përkrahin qëndrimin e Kryesisë në lidhje me partnerin e koalicionit dhe zhvillimet e fundit në vend. Kryetarët e Degëve presin nga përfaqësuesit tonë në Qeveri dhe Kuvend që të përfaqësojnë LDK-në dhe politikat e saj me dinjitet dhe ta mbrojnë legjitimitetin që e kanë marrë përmes votuesve tanë. Për LDK-në, partneriteti me SHBA dhe aleatët është jetik për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lidhja Demokratike e Kosovës më 18 mars ka njoftuar se do të iniciojë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Kjo ka ardhur pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, i cili kishte deklaruar se duhet të shpallet gjendje emergjente për situatën me koronavirusin.
Në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se e ka shkarkuar Veliun për arsye se ka nxitur panik te qytetarët.
Në letrën e mocionit të mosbesimit, LDK përveç tjerash ka përmendur edhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe mosheqjen e tarifës 100 për qind nga mallrat serbe dhe atyre të Bosnjës.
Për mocionin ata kanë marrë përkrahjen e AAK-së, Nismës Socialdemokrate dhe AKR-së.