Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se sot, e enjte, në orën 13:15, do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe disa ministrave në detyrë, të cilët janë betuar si deputetë të Kuvendit.
Sipas LDK-së, kallëzimi penal ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Partia thekson se, meqë Kurti dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive për t’u bërë deputetë, ata nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ushtrimin e detyrës si pjesë e Qeverisë në detyrë.
LDK-ja e kishte paralajmëruar më herët këtë hap, duke e cilësuar veprimin e Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij si shkelje të ligjit dhe tejkalim të kompetencave.
LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u bënë deputetë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të enjten kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave në detyrë që u bënë deputetë.
Kallëzimin penal në Prokurori e bënë shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputetja Dorsa Kica-Xhelili.
Bajrami ka deklaruar para mediave se prej datës 27 mars, kur Qeverisë Kurti i ka përfunduar mandati, kabineti aktual ka bërë shkelje duke qëndruar në zyrë dhe duke i shfrytëzuar resurset e kabinetit.
Ajo ka thënë se ata vazhdojnë edhe sot të qëndrojnë aty, duke rënë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, teksa shtoi se ky ligj është hartuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Këto janë 17 shkelje...Grupi i juristëve të LDK-së kanë kërkuar qasje në dokumente, disa ministri i kanë dhënë ato, e disa jo. I jemi drejtuar Prokurorisë Speciale dhe është në dorën e tyre të kërkojnë qasje në vendime të tjera. Qëndrimi i tyre në zyra është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë e Kosovës...”, ka thënë shefja e GP të LDK-së.
LDK-ja thotë se meqë kryeministri dhe ministrat në detyrë dhanë dorëheqje nga postet në Qeveri për t’u bërë deputetë, s’kanë të drejtë të vazhdojnë të mbesin në qeveri.
Bajrami ka deklaruar se LDK-ja do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në tryeza diskutimi me partitë e tjera dhe “varet se për çfarë qëllimi do të ftohen”.
Ajo tha se kanë propozuar qeveri në transicion me qëllim të daljes nga ngërçi politik.
Kurti ka dhënë dorëheqje në mes të prillit për t'u betuar si deputet.