Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria një qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri të vendit.
LDK-ja ka thënë se po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri, ku sot pati sulme me shok-bomba e po ashtu të shtëna në komunat veriore, duke penguar zyrtarët e KQZ-së që të kryenin përgatitjet për zgjedhjet në këto komuna.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës. LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë. LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë. LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri”, thuhet në komunikatën e LDK-së.