Arbëri

LDK: Supremja konfirmoi shkeljet e rënda kushtetuese të ministrave që u bënë deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka mirëpritur vendimin e Supremes, i cili sipas LDK-së, konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxjerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”, thuhet në komunikatën e LDK-së. 

Tutje thuhet se për këtë çështje LDK-ja ka deponuar 17 kallëzime penale ndaj ministrave në detyrë që kanë marrë vendime edhe pasi janë certifikuar si deputetë. 

Në një komunikatë për media ata kanë njoftuar se të mërkurën do ta deponojë në Prokurori si  dëshmi e argumentimit të saj në këto 17 kallëzime penale vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. 

“Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional të Republikës”, thuhet në reagim”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet, siç thuhet, këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët e saj. 

“Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme. Kosova nuk mund të lejojë më që institucionet e saj të uzurpohen dhe të keqpërdoren për interesa politike të një partie. Shteti i së drejtës nuk mund të jetë viktimë e arrogancës politike. Zbatimi i ligjit nuk është opsional, por detyrim i panegociueshëm për çdo zyrtar publik”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Lexo përditësimet tjera
Gjykata Supreme

Supremja: Nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë deputetë përbën shkelje kushtetuese

Gjykata Supreme e Kosovës të martën ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person...