Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur selektive e të pjesshme Rezolutën për Gjykatën Speciale, që të enjten në mbrëmje, pa përkrahjen e kësaj partie, e miratoi Kuvendi i Kosovës.
Deputetë të LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim, pasi kërkesa e tyre për ta shtuar një pikë me të cilën kërkohet zbardhja e vrasjeve të para dhe pas luftës së Kosovës, në përmbajtjen e Rezolutës nuk është pranuar.
Nëpërmjet Rezolutës deputetët u kanë kërkuar Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë që të ushtrojnë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një reagim të premten LDK-ja ka theksuar se mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive. LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë”, thuhet në reagim.
Porse ka vlerësuar se drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar.
“Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.
Edhe
Pa LDK-në, Kuvendi e miraton rezolutën për Specialen
Sipas tyre refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh.
“Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë. Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: “drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”.