Kandidimi për kryetar të Prishtinës i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, është papërgjegjësi e këtij të fundit dhe partisë e cila e vë në këtë pozitë, kanë thënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe pse ende nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka njoftim zyrtar se Vitia do të jetë kandidat, emri i tij është përfolur shumë.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë është e rëndë, e aq më tepër nëse kreu i dikasterit të shëndetësisë angazhohet në një funksion tjetër, sipas saj do ta vështirësojë gjendjen më shumë.
“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga ministri i Shëndetësisë, i cili sipas informatave edhe zyrtarisht do jetë kandidat për Komunën e Prishtinës. Në një moment të tillë personi kyç në këtë ministri duhet të jetë pjesë e fushatës për zgjedhjet lokale dhe varësisht nga rezultati t’i përkushtohet edhe funksionit tjetër nëse e merr. Është tejet shqetësuese që në këto kohë ne shpresojmë se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. Kemi rritje jashtëzakonisht të madhe të përqindjes së qytetarëve të infektuar të qytetarëve, por këto vendime i merr VV-ja. Ne shpresojmë që shëndeti i qytetarëve të jetë parësor dhe të ruhet deri të shohim që rreziku nga pandemia nuk do të kanoset më”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Izet Sadiku nga LDK, e ka quajtur papërgjegjësi të Qeverisë dhe të vetë ministrit Vitia, kandidimin e këtij të fundit.
“Kjo është shumë shqetësuese, të paktën të kishte lënë një ekip që mund ta menaxhojë situatën dhe të shkojë, mundet ta arsyetojë, por edhe ashtu është keq dhe po e lë këtë situatë dhe po kandidohet për kryetar të komunës, kjo është mospërgjegjësi nga ministri që ka dhënë fjalë se do ta luftojë dhe nga partia që ka marrë mbi 50 për qind të votave”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, LDK-ja po e vlerëson të dobët menaxhimin e Qeverisë të situatës me pandeminë COVID-19.
Mjekiqi, ka thënë se masat e fundit që Qeveria e Kosovës mori për frenimin e koronavirusit, janë të vonshme.
Edhe
Opozita kritikon kandidimin e ministrit të Shëndetësisë për kryetar të Prishtinës
“Qeveria e Kosovës deri më sot ka vaksinuar vetëm 10 për qind të popullatës me dy doza, këto janë të dhëna tejet të ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Para pak ditësh qeveria ka marrë vendimin për disa masa shtesë që përveç që janë të vonuara, nuk ka një plan të mirëfilltë për vaksinimin e pjesës së mbetur te popullatës”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Teksa Sadiku ka thënë se duhet të ketë vaksinim masiv dhe fushatë të vazhdueshme vetëdijësuese për vaksinim.