Derisa kuvendarët nga radhët e LDK-së e kanë kritikuar qeverisjen e LVV-së në Podujevë për keqplanifikim e keqmenaxhim, shkaku i mbetjes së 900 mijë eurove suficit nga mjetet e grantit qeveritar, në partinë në pushtet kanë thënë se buxheti i vitit 2021 është planifikuar nga ish-Qeveria e LDK-së dhe se suficiti është për 2.5 herë më i vogël sesa ai i një viti më herët
Lidhja Demokratike e Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë janë përplasur për raportin vjetor financiar për vitin 2021. Këshilltarët e partisë opozitare (LDK) e kanë akuzuar pushtetin e Vetëvendosjes për keqplanifikim e keqmenaxhim të parasë publike, tek kanë folur për suficitin që i ka mbetur kësaj komune në vitin e kaluar. Ndërkohë, zyrtarë të ekzekutivit lokal kanë thënë se sa i përket keqplanifikimit, një gjë e tillë paraqet vetëkritikë të LDK-së, pasi buxhetin për vitin 2021 e kishte miratuar pikërisht kjo parti. Ndërkohë, për suficitin kanë thënë se është 2.5 herë më i vogël sesa suficiti i një viti më herët, kur kishte qeverisur LDK-ja.
“Nga buxheti i paraparë që ka qenë 25.080.126 euro, janë shpenzuar 22.218.657 euro, do të thotë kemi një shumë prej afro tre milionë eurosh suficit, të pashpenzuara ose të keqmenaxhuara nga ekzekutivi i Komunës për vitin 2021. Nga buxheti i alokuar për vitin 2021 kanë mbetur këto mjete të pashpenzuara: nga granti qeveritar 911.871 euro, nga të hyrat vetjake kanë mbetur 674.948 euro, nga donatorët e brendshëm 148.830euro dhe nga financimi nga huamarrjet për klauzolën e investimeve 1.125.298 euro”, ka thënë Qëndrim Softolli, këshilltar komunal i LDK-së. “Pra, mjetet e ndara nga granti qeveritar, në shumë prej afro një milion eurosh, kthehen në thesar, si rezultat i keqmenaxhimit. Nga të hyrat vetjake, afro 700.000 euro, të cilat nuk arritën t’i menaxhojnë në mënyrën e duhur. Te shpenzimet për subvencione dhe transfere kemi një shumë rreth 200.000 euro të pashpenzuara, te shpenzimet kapitale kemi mbi 800.000 euro të pashpenzuara”.
Duke folur për shpenzimet e tjera, këshilltari Softolli ka thënë se janë 13.911 euro që janë harxhuar për “pajisje të tjera”.
“Mëditje të udhëtimeve 872 euro, shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit 1029 euro, shpenzime të vogla - para xhepi 1136 euro, akomodimi i udhëtimeve zyrtare jashtë vendit 568 euro. Pra, kemi mbi 3600 euro shpenzime për udhëtime zyrtare, shumë kemi parë hajr prej tyre! Shërbimet kontraktuese të tjera me një shumë prej 744.168.29 eurosh, nuk dihet fare se çfarë shpenzimesh janë këto”, ka theksuar tutje ai.
Këshilltari i LDK-së ka shtuar se për dreka zyrtare janë shpenzuar mbi 2000 euro, kurse për orendi 26.000 euro.
“Mirëmbajtje rutinore kemi një shumë prej 54.664 eurosh. Kemi përshkrimin prapë ‘pajisje tjera’ në vlerë prej 238.429 eurosh, prapë ‘pajisje tjera’ prej 172.808 eurosh. Vetëm te kodi ‘pajisje tjera’ janë shpenzuar 772.780 euro, që nuk dihet se për çfarë pajisje, e as ku janë shpenzuar saktë këto të holla”, ka thënë ai.
Edhe këshilltari tjetër nga kjo parti, Naim Çunaku, ka folur për raportin financiar duke pretenduar, ndër të tjera, se ka pasur keqplanfikim.
Në anën tjetër, drejtori për buxhet dhe financa, Fatlum Osmani, ka thënë se ky raport është mbi bazën e buxhetit të vitit 2021.
“Atë buxhet nuk e kemi planifikuar ne. Kjo ishte kritikë ndaj vetes. Mbetja buxhetore, e vërteta është se është pak më shqetësuese kur është nga granti qeveritar, pasi ato mjete kalojnë në suficit dhe rrjedhimisht nuk mund të shpenzohen më. Ndërkaq, sa i takon mbetjes buxhetore nga të hyrat vetjake, ne e kemi bërë bartjen dhe ato këtë vit mund të shpenzohen”, ka theksuar Osmani.
Mbetja nga granti qeveritar, sipas tij, është afro 900 mijë euro.
“Vitin e kaluar kanë qenë 2.2 milionë. Pra, është afro 2.5 herë më pak se një vit më herët. Pse ka mbetur kjo mbetje buxhetore? Buxheti planifikohet në shtator për vitin që vjen. Pas planifikimit, duhet të përgatiten projektet, specifikimit e atyre projekteve, planet e prokurimit, në mënyrë që ato të procedohen me kohë dhe është shumë e rëndësishme që kontratat të lidhen me kohë, që realizimi i projekteve të shkojë në dinamikën e paraparë, që të mos kemi suficit”, është shprehur drejtori për buxhet dhe financa.
Sipas tij, LVV-ja e ka marrë mandatin qeverisës në dhjetor të vitit 2020.
“Dhe, në atë kohë, nuk ka qenë asnjë projekt i gatshëm për procedim në prokurim. Përpos kësaj, Komuna e Podujevës nuk e ka pasur as kontratën për hartimin e projekteve, që është e domosdoshme, se Komuna në shumë raste ka mungesë të kapaciteteve njerëzore, të inxhinierëve për të hartuar projekte. Kjo realisht e ka vonua shumë fillimin e procedurave të prokurimit. Me gjithë këto probeleme që i paraqita, është shumë suskes ku kemi mbërri”, ka thënë ai.