Dikur ishte shumë kritike ndaj ish-pushtetit komunal të Podujevës, kur nuk arrinte të shpenzonte buxhetin. Por tash Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë i kanë mbetur mbi 800 mijë euro suficit. Zyrtarët komunalë ua kanë hedhur fajin operatorëve ekonomikë që, sipas tyre, nuk i kanë kryer punët për të cilat janë kontraktuar
Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë sa ishte në opozitë ka qenë shumë kritike ndaj ish-pushtetit në këtë komunë kur buxheti i tepronte.
Por tash, kur është në pushtet, qeverisë së kësaj partie i ka mbetur suficit buxhetor mbi 800 mijë euro nga granti qeveritar. Rrjedhimisht këto mjete i kthehen thesarit të shtetit.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, është arsyetuar se ky suficit buxhetor ka mbetur për shkak se kur kanë ardhur në pushtet nuk kanë gjetur asnjë projekt të përgatitur.
“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në fund të vitit 2020 dhe rrjedhimisht e ka gjetur një buxhet të planifikuar për vitin 2021, që mendojmë që ka qenë një buxhet i planifikuar jo mirë. Mirëpo, ne është dashur ta zbatojmë këtë buxhet. Gjithashtu, një problematikë tjetër në të cilën kemi hasur, nuk kemi pasur asnjë projekt thuajse të gatshëm të përgatitur me specifika teknike për zhvillimin e procedurave të prokurimit”, ka deklaruar Fatlum Osmani.
Megjithëkëtë, sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa, deri në muajin prill, komuna pothuajse i ka proceduar të gjitha projektet e planifikuara me buxhetin e vitit 2021.
“Edhe ky suficit kryesisht ka ardhur, në vitin 2021 po flasim, si rezultat i disa operatorëve të papërgjegjshëm, të cilët kanë lidhur kontratë për realizimin e projekteve të caktuara në Komunën e Podujevës, siç është ai për rregullimin e infrastrukturës së varrezave, riparimi i disa rrugëve të asfaltuara dhe disa projekte të tjera, të cilat nuk i kanë përfunduar punët të cilat vetëm janë kontraktuar dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për ato projekte ka shkuar në suficit buxhetor dhe disa mbetje të vogla nga disa projekte të cilat nuk janë përfunduar disa punë dhe kanë mbetur në suficit buxhetor”, ka shtuar Osmani.
Ndërkohë Rexhep Zeka nga OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, vlerëson se suficiti nuk është gjë e mirë për shkak se këto mjete nuk mund të shpenzohen nga komuna në vitin vijues.
“Zakonisht suficiti mbetet për dy çështje. Njëra është mosplanifikimi i mirë i projekteve me fillim, ose tjetra është mosfillimi i mirë i procedurave të prokurimit për projektet paraprake. Siç duket te Komuna e Podujevës ka ndodhur kjo e dyta, pra projektet nuk kanë filluar të procedohen me kohë dhe rrjedhimisht ka mbetur suficit rreth 800 mijë euro”, ka thënë Zeka.
Ai ka theksuar se komunat janë duke u penalizuar edhe për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit qe një kohë të gjatë është jofunksional.
Granti qeveritar i Komunës së Podujevës në vitin 2021 ka qenë 21 milionë e 679 mijë euro.
Prej tyre, Qeveria komunale i ka shpenzuar 96.3 për qind. Në këtë shumë nuk përfshihen mjetet vetjake, pasi ato komuna mund t’i bartë në buxhetin e vitit 2022.