Me akuza e kundërakuza ndërmjet LDK-së e ekzekutivit të LVV-së është përcjellë bartja e mjeteve vetjake të Komunës së Podujevës nga viti 2021 në vitin 2022. Përderisa këshilltari i LDK-së, Demokrat Hodolli, ka thënë se mbetja e të hyrave tregon se ekzekutivi nuk ka aftësi menaxheriale, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se buxheti për vitin 2021 ishte hartuar e miratuar pikërisht nga LDK-ja.
“Kjo tregon se ky ekzekutiv nuk posedon aftësi profesionale me menaxhu me të hyrat vetjake. Treguesi më i mirë është kjo bartje e mjeteve në kategori të ndryshme, pa specifikuar saktë destinimin e tyre, por duke lënë mundësinë që të përdoren lidhë e përlidhë për t’i larë borxhet e fushatës dhe pazaret ditore. Përshkrimi është asfaltimi i rrugëve Buricë, Peran, Letanc, pa specifikuar cila rrugë, rrugicë apo trotuar. Andaj kjo formë është veç një vazhdimësi e një qeverisjeje të dobët dhe pa vizion”, është shprehur Demokrat Hodolli.
Drejtori për Buxhet, Fatlum Osmani, ka thënë se janë 349 mijë e 367 euro që janë arkëtuar përtej planifikimit që ka qenë në vitin 2021.
“Ky është tregues shumë i qartë për efikasitetin e mbledhjes së të hyrave vetjake dhe rrjedhimisht kjo e ka rritur shumën buxhetore të mjeteve të cilat barten. Pra, i kemi 349 mijë euro më shumë investime nga të hyrat vetjake të Komunës së Podujevës. Sa i përket mosspecifikimit të projekteve, vlen të ceket se të gjitha këto projekte që janë këtu te bartja e mjeteve janë projekte të miratuara me buxhetin e vitit 2021, të njëjtat kode, të njëjtat projekte”, ka thënë Osmani në ditën kur është diskutuar kjo pikë. “Buxhetin e vitit 2021 e ka bërë LDK-ja e për paaftësi këtu pajtohem. Për larje të fushatës, prapë po them bëhet fjalë për projekte të vitit 2021, të cilat për arsye të ndryshme të ecurive të punëve nuk janë realizuar në kohën e paraparë dhe rrjedhimisht këto projekte duhet të përfundohen sivjet. Nëse këto punë ishin kryer, atëherë ishin kryer edhe pagesat. Nuk bëhet fjalë për çështje të fushatës, po pritet të kryhen sivjet”.
Osmani ka thënë se vendimi për bartjen e të hyrave nga viti 2021 në vitin 2022 është obligim ligjor për ekzekutivin.
“Mjetet të cilat janë realizuar nga të hyrat vetjake dhe të cilat nuk janë shpenzuar janë 1 milion e 32 mijë e 341 euro. Shumica e këtyre mjeteve janë nga viti 2021, por ka edhe mjete nga projektet që kanë mbetur nga viti 2020. Këto mjete barten në tri programe: në programin e administratës komunale ku janë të gjitha drejtoritë përjashtimisht shëndetësinë dhe arsimin; programi në shëndetësi dhe në programin e arsimit”, ka theksuar drejtori për Buxhet dhe Financa.
Këtë propozim-vendim për bartjen e të hyrave e kanë mbështetur Grupi i këshilltarëve të LVV-së dhe i PDK-së, i cili edhe është miratuar me shumicë votash.