Arbëri

LVV-ja e LDK-ja përplasen për gjetjet e Auditorit në vitin 2020 e 2021

Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë, tash në opozitë, i ka numëruar dobësitë që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka evidentuar në raportin për 2021, Lëvizja Vetëvendosje ia ka kujtuar këtij subjekti politik gjetjet e Auditorit në raportin e vitit 2020, kur LDK-ja ishte në pushtet. LVV-ja ka qenë e kënaqur me opinionin e pamodifikuar që Auditori e ka dhënë për këtë raport, kurse LDK-ja ka hedh dyshime për ndikim tek Auditori për këtë opinion

Zyrtarët e LVV-së dhe ata të LDK-së janë përplasur mes vete rreth gjetjeve të Auditorit për vitin 2020 dhe 2021. Përderisa LDK, tash në opozitë, i ka numëruar dobësitë që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka evidentuar në raportin për 2021, LVV ia ka kujtuar këtij subjekti politik të gjeturat e Auditorit në raportin e vitit 2020, kur LDK-ja ishte në pushtet.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të mbajtur të premten, raportin e ka pasqyruar drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, i cili ka thënë se janë vetëm 13 komuna që e kanë raportin me opinion të pamodifikuar, në mesin e të cilave është edhe Komuna e Podujevës.

Por, mendim krejt tjetër ka paraqitur këshilltari i LDK-së, Arjant Topanica. Sipas tij, dobësitë e identifikara në fushën e financave lidhen kryesisht me mospajtueshmëri të rregullave tek investimet kapitale, subvencionet dhe transferet, pagesa të ekzekutuara si rezultat i vendimeve gjyqësore, keqklasifikimi i shpenzimeve, keqmenaxhim i pasurive të Komunës dhe llogarive të arkëtueshme, dobësi dhe gabime në përgatitjen e pasqyrave financiare.

“Ky raport rezulton me 12 gjetje/mangësi që rrjedhimisht kemi 12 rekomandime që dalin nga këto dobësi prej te cilave 6 janë të përsëritura dhe 6 të reja. Mbi 500,000 euro pagesa nga vendimet gjyqësore. Pastaj OJQ-të kanë përfitua kundërligjshëm. Nuk kanë paraqitur dëshmi se kanë kryer obligimet ndaj ATK-së, kanë paraqitur dëshmi jo-relevante, si dhe OJQ që nuk paraqet raport financiar”, ka thënë Arjant Topanica.

Ai ka përmendur edhe mospagesën e faturave brenda afateve të caktuara ligjore, klasifikim jo i duhur i kategorisë së shpenzimeve, ku siç ka thënë ai, në mungesë të mjeteve të parparara për shpenzimet e caktuara, merren mjetet nga kategori të ndryshme të shpemzimeve.

“Kemi mungesë të kontrollit gjatë përgatitjeve të pasqyrave financiare, paraqitje jo e drejtë dhe e saktë e të dhënave në pasqyrat financiare, anashkalim i sistemit informativ për menaxhimin e BNJ. Kemi vazhdimisht konkurse, e më shumë punësime pa konkurse e nuk kemi një përdorim efikas të SIMBNJ, vonesa për kryerjen e punëve të kontraktuara, regjistrim jo i plotë dhe dobësi në menaxhimin e pasurisë. Komuna tregon moskujdes ndaj pasurive të blera me paratë e qytetarëve”.

Ndërkohë, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, e ka përsëritur se elementi më pozitiv, sipas tij, është se ky raport është i pamodifikuar. ]

“ZKA ka pasur pika shumë më strikte dhe për këtë kanë dalë shumë komuna keq. Vetëm 13 komuna kanë dalë me raport pozitiv dhe vetëm dy janë të mëdha, Gjakova dhe Podujeva. Investimet të cilat do të bëhen për kredi nëse ky raport kish me qenë negativ nuk do të mund të aplikonim për grantin e performancës dhe këto janë ndikime pozitive që i ka raporti i Auditorit. Sigurisht që ky raport i ka edhe të gjeturat, që janë teknike që mund të përmirësohen, siç është rasti i subvencioneve për OJQ-të që duhet të dërgohet në Zyrën e kryeministrit”, ka deklaruar Fatlum Osmani.

“Gjithashtu edhe te çështja e regjistrimit të pasurisë që ka paqartësi edhe ligjore, që nuk ka pasqyrë të qartë se si të regjistrohen këto pasuri. Ajo që na shqetëson më shumë është pagesat përmes vendimeve gjyqësore. Të gjitha këto janë nga nënshkrimi i kontratave kolektive nga qeveritë e kaluara dhe ato kanë nënshkruar pa pasur buxhet. Kryesisht mësimdhënësit dhe mjekët gjejnë rrugë gjyqësore për t’i marrë këto mjete”.

Drejtori për Buxhet dhe Financa ka theksuar se sa i përket llogarive të arkëtueshme, Komuna e Podujevës i ka trashëguar mbi 3 milionë euro.

“Ne kemi një rritje të arkëtimit të të hyrave. Po nuk mund që ato borxhe të trashëguara për 20 vjet t’i inkasojmë për 1 vit. Keqklasifikimi është bërë të mirën e qytaterëve. Ka ardhur një donacion dhe ka ofruar mbështetje për një projekt, p.sh. 100 mijë euro dhe ne nuk kemi pas buxhet për atë çështje, por nuk kemi mund t’i humbim p.sh. 100 mijë euro për t’i ndarë ne 10 mijë euro”, ka thënë drejtori Osmani.

“Në raport me gjetjet nga viti 2020, sivjet asnjë e gjetur nuk i ka shkaktuar probleme financiare Komunës së Podujevës, për dallim nga vitet e kaluara, ku kemi pas anashkalim të procedurave të prokurimit, tejkalim të kontratave, dobësi në menaxhimin e kontratave ku janë paguar pa u kryer punët, specifikime tenike jo të qarta. Fatmirësisht këto gjetje nuk janë në vitin 2021 dhe këto gjetje që janë më 2021 do të përpiqemi të mos jenë më 2022”.

Zyrtarët e LDK-së kanë ngritur dyshime se pushteti i Vetëvendosjes ka ndikuar te ZKA-ja që të del raporti pozitiv. Këtë e kanë mohuar zyrtarët e VV-së, duke kujtuar që ka ministri në nivelin qendror që nuk ka dalë mirë me raportin e Auditorit.

Ndërkohë, këshilltari i VV-së, Xhevdet Maloku, ua ka kujtuar këshilltarëve të LDK-së gjetjet e ZKA-së për vitin 2020, në kohën sa LDK-ja kishte qenë në pushtetin lokal.

“Është mirë të kujtohet opinioni qytetar që Komuna më 2020 kishte lidhur kontratë për blerjen e një kamioni për departamentin e zjarfikësve në vlerë 69 mijë e 500 euro duke anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit publik. Po ashtu kishte pagesa të avansit në kundërshtim me Ligjin e buxhetit ku kishte paradhënie 20 mijë e 850 euro për blerjen e po këtij kamioni për zjarrfikës, duke kaluar kështu 30 për qind të vlerës së kontratës e me ligj është deri në 15 për qind”, është shprehur këshilltari Maloku.

“Po ashtu te procedura e prokurimti për rregullimin e shtratit të lumit-vazhdim, është eliminuar oferta e operatorit ekonomik me 136 mijë e 666 euro, ndërsa kontrata e nënshkruar me operatorin ekonomik ishte 159 mijë e 751 euro apo 23 mijë euro më e madhe. Po ashtu kemi gjetje ku buxheti i komunës është dëmtuar me 31 mijë euro, duke paguar ështu kompensimin e pagave të arsimit të një punëtori të larguar nga puna pa bazë ligjore. Kemi dhënien e subvencioneve për mullinj të prodhimit të ushqimit, ku fermeri ka aplikuar me dokumentacion të një fermeri tjetër dhe përsëri ka përfituar subvencion”.