Arbëri

LDK-ja do të shfrytëzojë veç pesë nga 30 ditë fushatë

Lidhja Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së Kryesisë së mbajtur sot ka njoftuar se ka vendosur të shfrytëzojë vetëm pesë 30 ditë fushatë.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se fushata mund të mos mbahet fare, varësisht nga gjendja pandemike.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së, duke marrë për bazë gjendjen e rëndë shëndetësore në vend, gjendje e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosi që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë dixhitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikmëri rregullativën në vend mbi tubimet publike”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se në mbledhje u diskutua dhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve me 17 tetor, brenda kornizave kushtetuese e demokratike të Kosovës.

“Kryesia e LDK-së edhe njëherë fton të gjithë akterët politik, shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike që të rreshtohen kundër tendencës për të prekur zgjedhjet të cilat janë themel i demokracisë. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për organizimin e strukturave të partisë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend”, thuhet tutje në njoftim.