Tubimet e zakonshme në kuadër të fushatës edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon t’i mbajë brenda pesë ditëve.
Pas LDK-së, edhe nga AAK-ja kanë njoftuar se pjesën tjetër të fushatës zyrtare do ta zhvillojnë përmes formave të tjera, kryesisht online.
Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, një vendim të tillë si parti e kanë marrë shkaku i gjendjes pandemike në vend.
“Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021 ta kufizojë në 5 ditë. Po ashtu jemi të përcaktuar që edhe këtë afat 5-ditor të fushatës ta zhvillojmë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit. Të nderuar qytetarë, në struktura të simpatizantëve të AAK-së do të përpiqemi që duke filluar nga nesër të gjejmë mënyra alternative të komunikimit dhe të shpalosim programin dhe objektivat tona për zgjedhjet e 17 tetorit. Gjatë kësaj kohe do ta zbatojmë modelin e fushatës digjitale”, tha Haradinaj.
Për dallim nga LDK-ja e AAK-ja, një gjë të tillë nuk do ta bëjnë nga PDK-ja, derisa nga VV-ja nuk kanë shpalosur detaje lidhur me planet për mbajtjen e fushatës.
Sipas Allen Metës, hulumtues në “Demokraci për Zhvillim”, një vendim i tillë është në duar të secilës parti. Por, sipas tij, mënyra më e mirë e organizimit të fushatës është nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo edhe për shkak të mundësisë që të arrijnë tek më shumë votues potencialë.
“Respektimi i masave është një prej gjërave të cilët partitë duhet të bëjnë gjatë gjithë fushatës, qoftë nëse e mbajnë 5, 10 apo 30 ditë. Më e rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve dhe shpresojmë që partitë të i përmbahen kësaj”, tha Meta.
Në anën tjetër institucionet, të cilat merren me inspektimin e zbatimit të masave në fuqi, thonë se do të gjobitet kushdo që nuk i respekton ato.
“Mbi çfarëdo veprimi qe bie ndesh me masat e vendosura me vendim të Qeverisë për parandalim të përhapjes së sëmundjes COVID-19, ne si organ mbikëqyrës do të ndërmarrim masat ligjore. Kudo që inspektorët gjatë kontrolleve hasin në shkelje të masave kanë për obligim që të shqiptojnë gjoba apo mbyllje të operatorëve ekonomikë. Pa marrë parasysh natyrën e organizimit apo nga kushdo që organizon grumbullime të njerëzve në kundërshtim me manualin dhe vendimin e Qeverisë për masat COVID-19 AUV- Inspektorati Sanitar në bashkërendim me Policinë do të veprojnë”, tha Lamir Thaçi, zyrtar për Informim i AUV-it.
Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon nesër, më 16 shtator, dhe do të zgjasë një muaj.