Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktgjykimi i Kushtetueses vë në lëvizje partitë

Presidenti i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Partitë politike kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku është dhënë afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Në Vetëvendosje kanë thënë se javën tjetër duhet të thirret seanca e dy nga subjektet opozitare: PDK e AAK kanë mbajtur takimet e kryesive. Ndërkohë, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se mundësia e vetme për ta zgjedhur kreun e shtetit është një marrëveshje LVV - LDK

Mundësia që Gjykata Kushtetuese ka dhënë për zgjedhjen e presidentit të ri në 34 ditët e ardhshme, ka vënë në lëvizje partitë politike.

Në Vetëvendosje janë shprehur se javën tjetër duhet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit dhe në ndërkohë që ajo të jetë e suksesshme, deputeti Egzon Azemi ka thënë se do t’i nisin edhe bisedimet me partitë politike opozitare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne jemi jashtëzakonisht të hapur që të kemi edhe më tutje bisedime, mirëpo bisedime të sinqerta me subjektet politike. Siç e dini, kryeministri i ka ftuar krerët e subjekteve politike edhe pasi që e kemi dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese, mirëpo ata nuk kanë dashur të vijnë me arsyetimin se pa dhënë Gjykata Kushtetuese një sinjal ose një përgjigje nuk ka nevojë për takime”, ka thënë Azemi.

Për situatën politike, Partia Demokratike e Kosovës të enjten ka mbajtur mbledhje të kryesisë dhe të grupit parlamentar, por nuk ka kumtuar ndonjë vendim.

“Vendimi ynë është që do të thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin”, është shprehur Çitaku.

E në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk kanë vota për asnjë kandidat që është politik.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka theksuar se opozita duhet të mblidhet dhe të ofrojë një alternativë për të dalë nga kjo situatë.

“Është tepër e rëndësishme që të ketë një diskutim brenda-opozitar në mënyrë që pastaj të vendosë a do të ketë garë apo jo apo do të shkojmë në zgjedhje prapë. Aleanca nuk do të krijojë kuorum vetëm sa për garë, në asnjë rrethanë në asnjë moment. Ata dy kandidatë janë partiakë, ne jemi kundër kapjes së shtetit dhe duke qenë kundër kapjes së shtetit në asnjë moment nuk do ta mbështesim një situatë të tillë”, ka deklaruar Tahiri.

Një ditë pas aktgjykimit të Kushtetueses, edhe AAK-ja ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

E në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk janë përgjigjur nëse në takimet me Vetëvendosjen do të propozojnë ndonjë kandidat për president apo nëse do t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e 15 deputetëve të saj për një kandidat tjetër.

Analisti politik, Artan Alijaj, është i mendimit se bazuar në qëndrimet e deritanishme të partive politike opozitare, sidomos të PDK-së që ka shprehur interesim për zgjedhje të reja, Vetëvendosje mund të arrijë marrëveshje vetëm me LDK-në për presidentin.

“Duket që me PDK gjasat janë zero.. nëse do të ketë negociata mes LVV dhe LDK nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë një marrëveshje, varet cilat do të jenë detajet, por mundësia do të jetë”, ka thënë Alijaj.

Liderët e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike kanë refuzuar të takohen me atë të Vetëvendosjes gjatë kohës sa në fuqi ishte masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe në PDK, e edhe në LDK patën shprehur gatishmëri për takime me LVV-në pas aktgjykimit të Kushtetueses, që u publikua të mërkurën.