Arbëri

LDK: Bislimi është ushtrues detyre, s’ka mandat për të marrë vendime në procesin e dialogut

sorensen - bislimi - petkoviq

Besnik Bislimi nuk ka legjitimitet për të marrë pjesë si krenegociator në bisedimet me Serbinë, ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një reagim të martën, LDK-ja ka shprehur se Bislimi “nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë”.

Sipas LDK-së, dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja.

“Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut”, thuhet në reagim.

Tutje, LDK-ja shpreh se çdo marrëveshje apo angazhim i ndërmarrë në këtë fazë të qeverisë në detyrë nuk mund të prodhojë obligime për Kosovën.

“Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor”, thuhet në reagimin e LDK-së.