Një analizë që ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare lidhur me aktgjykimet e shpallura këtë vit për rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, thotë se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka treguar një nivel të lartë në vlerësimin e ankesave të palëve në procedurë. Analiza thekson se gjykatat u treguan efikase pasi në pjesën e parë të këtij viti për 5 raste të krimeve të luftës në Kosovë janë shpallur aktgjykime në shkallë të parë e për dy të tjera në shkallë të dytë
Vetëm gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, për 7 raste të krimeve të luftës në Kosovë janë shpallur aktgjykime në shkallë së parë dhe shkallë të dytë.
Në një analizë që ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare (FDHK) për këto raste, thuhet se për aktgjykimet e shpallura vërehet se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka treguar një nivel të lartë në vlerësimin e ankesave të palëve në procedurë.
Aty theksohet se vendimet e shkallës së dytë kanë krijuar standard të mirë dhe praktikë të qëndrueshme në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
“Duke reflektuar një qasje të kujdesshme, të arsyetuar dhe të drejtë ndaj çështjeve penale të ndjeshme, siç janë ato për krime lufte. Nga shqyrtimi i rasteve të evidentuara në këtë buletin, konstatohet se vendimet e shkallës së dytë po krijojnë një standard të mirë dhe praktikë të qëndrueshme në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë. Qasja profesionale, e bazuar në ligj, në prova dhe në të drejtat e palëve në procedurë, e bën Gjykatën e Apelit një instancë kyç në forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në raport.
Nga 7 aktgjykimet e shpallura gjatë periudhës janar-qershor, 5 janë të shkallës së parë.
Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 15 vjet burgim të pandehurin Muhamet Alidemaj për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, por këtë vit shkalla e dytë e ktheu rastin për rigjykim.
Në vendimin e Apelit thuhet se mungonin arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.
Për dallim nga rasti i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, shkalla e dytë e konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë, për të akuzuarin Ekrem Bajroviq për krime lufte në fshatin Saradran të Istogut.
Sipas aktakuzës, më 7 maj 1999, Bajroviqi mori pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë.
“Kolegji i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, më 21 maj 2025, mori aktgjykimin me të cilin i refuzoi ankesat e avokatëve mbrojtës dhe konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku i pandehuri Bajroviq u dënua me dymbëdhjetë (12) vjet burgim për krimet e luftës kundër popullatës civile”, është evidentuar në raportin e FDHK-së.
E në maj, Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim e dënoi me 5 vjet e 6 muaj burgim të akuzuarin Çasllav Jolliq për krime lufte në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurrakoc të Istogut.
Në prill i akuzuari Dragisha Millenkoviq u dënua me 7 vjet burgim për krime lufte në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit.
Gjatë këtij viti fajtorë për krime lufte u shpallën edhe Zoran Vukotiq dhe Zhivojin Neshiq.
Ndërkaq Gavrillo Millosavleviq u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Ndërsa Prokuroria Speciale gjatë vitit 2024 ka ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte.
Nga to, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 serbëve të arrestuar.