Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, e ka cilësuar të papërgjegjshme qasjen e Qeverisë për Ligjin për tatimin në pronë, që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë për qytetarët, duke thënë se në këtë mënyrë dëmtohen komunat.
Latifi në “60 Minuta” në KTV ka thënë se Qeveria është dashur të mendojë rimburësimin e komunave për faljen e 100 eurove të qytetarëve.
“Edhe nëse do duhej të falej tatimi në pronë, atëherë Qeveria është dashur të mendojë t’i konsultojë komunat, dhe nëse do të marrë veprim të tillë duhej t’u sigurojë komunave rimburësimin e mjeteve që do të vinë si pasojë e faljes së tatimit në pronë”, ka thënë ai.
Sipas Latifit, në Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme ka shkelje që i ka bërë Qeveria.
“Ministri i Financave, Qeveria nuk duhet ta cenojë autonominë e pushtetit lokal. Nuk duhet të ndërhyjë askush në autoritetin e komunave. Bëj thirrje që Qeveria ta ketë parasysh marrëdhënien e shëndoshë që duhet ta ketë me komunat, pavarësisht se kush udhëheq me to”, ka thënë ai.
Ligjin për tatim në pronë të premten Komuna e Prizrenit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ku parashihet edhe falja e 100 eurove të tatimit. Kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj, ka thënë se kjo është ndërhyrje në kompetencat e komunave e se dëmtohen pasi ua zvogëlon buxhetin komunal.
Edhe
Qeveria fiton rastin ndaj komunave për faljen e tatimit në pronë
Latifi ka theksuar se komunat presin që Kushtetuesja të vendosë për masë sigurie për këtë Ligj. Ndërkohë ka përsëritur se Qeveria nuk mund t’ua lë barrën e faljes së tatimeve komunave.
“E presim vendimin e Kushtetueses, po e presim masën e përkohshme të sigurisë që besojmë se gjykata do ta japë. Pritjet tona janë legjitime dhe po presim të kemi situatë më të qartë, më të orientuar nga Kushtetuesja. Nëse ka mundësi financiare Ministria e Financave, le t’ua falë borxhet qytetarëve, por nëse këtë veprim politik do ta ndërmarrë Qeveria ta marrë përsipër që të mos u lë barrë komunave dhe t’ua vështirësojë të qenit të kënaqur qytetarëve të komunave tona nga falja e borxheve”, ka shtuar Latifi.