Në dy komuna do të pilotohet një projekt, me të cilin synohet lidhja e qytetarit me adresë unike. Përfaqësues ndërkombëtarë thanë se në rast se ai do të zgjerohet në nivel shteti, Kosova do të kthehet në vend model për rajonin. E përfaqësues institucionesh shprehën pritjen që, nëpërmjet tij, të eliminohen problemet e deritanishme të qytetarëve me adresat.
Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar pilot-projektin për lidhjen e qytetarit me adresë unike, i cili do të zbatohet në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog.
Gjermania ka mbështetur këtë pilotim me 90 mijë euro, e përfaqësues të Ambasadës së këtij shteti shprehën pritjen që ai të zgjerohet në të gjithë Kosovën.
“Së shpejti nga ky projekt do të përfitojnë 111 mijë qytetarë të Kosovës, posaçërisht nga Mitrovica dhe Istogu 33 mijë e 500 adresa vetëm ne këtë pilot projekt me shpresë se pastaj do të shpërndahet në të gjithë shtetin”, ka thënë udhëheqësja e sektorit për zhvillim ndërkombëtar në Ambasadën gjermane në Kosovë.
Partner në projekt është edhe Zyra e Bankës Botërore në Kosovë. Përfaqësues të saj shprehën pritjen që Kosova të bëhet model për vendet e rajonit sa i përket sistemit të adresave.
“Nëse do të shkoj si duhet ky pilot-projekt në Kosovë pastaj do të ngrihet në nivel nacional, mund të jetë një shembull për shumë shtete të tjera që ende po hasin në vështirësi të funksionojnë sistemin e adresave”, ka thënë menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci.
Edhe
Ngec projekti për mjekun familjar
Përfaqësues institucionesh thanë se realizimi i projektit është me shumë rëndësi.
“Përmes këtij procesi mundësohet shfrytëzimi i adresave zyrtare dhe unike nga qytetarët dhe eliminon problemet e deritanishme me adresa dhe mundësohet ofrimi i shërbimeve më kualitative dhe më të shpejta për qytetarët”, ka themë zëvendësministri i MPHI-së, Hysen Durmishi.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe nënkryetari i Komunës së Istogut u zotuan për bashkëpunim gjatë zbatimit të pilot-projektit.
“Pasi që jemi komunat e para edhe Mitrovica edhe Istogu me përkushtimin më të madh, me seriozitetin më të madh do t’i qasemi këtij projekti që të jetë i suksesshëm”, ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Edhe
Votimi jashtë Kosovës, në balotazh mund të votojnë vetëm ata që janë regjistruar në rundin e parë
“Shpresojmë që Istogu të sjellë rezultate të mira që ky projekt tutje të lansohet edhe në tërë komunat e Republikës së Kosovës”, ka thënë nënkryetari i komunës së Istogut, Ali Nimanaj.
Pilot-projekti është mbështetur nga organizata qeveritare gjermane, GIZ.