LAJMET E MBRËMJES

Ambasadorë të Bashkimit Evropian në Prishtinë thonë se u duhet një partner në Kosovë

Formimin e shpejtë të institucioneve e marrjen parasysh të kërkesave të ndërkombëtarëve e kanë kërkuar përfaqësues diplomatikë të shteteve të BE-së në Kosovë. Në një tryezë diskutimi, ku u diskutua për rrugën e Kosovës drejt bllokut evropian, u tha se për të ecur para ndërkombëtarëve u duhen partnerë tek autoritetet kosovare

Formimin e shpejtë të institucioneve e kanë kërkuar përfaqësues të Bashkimit Evropian e ambasadorë të shteteve anëtare. Ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropianë në Prishtinë u bënë thirrje politikanëve kosovarë t’i “bëjnë detyrat” dhe ta shfrytëzojnë “mundësinë e re” në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

Duke folur në Prishtinë në një tryezë diskutimi për rrugën e Kosovës drejt bllokut evropian të organizuar të mërkurën nga Instituti PIPS dhe FOL, shefi i Zyrës së BE-së, Aivo Orav, pohoi  se në ecjen para u duhen partnerët.

“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv”, ka thënë Orav. Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë shtoi se BE-ja ka “nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, bëri thirrje që liderët kosovarë t’i kryejnë detyrat që kanë. 

Sipas Rohdes, ky mesazh u është përcjellë atyre edhe gjatë vizitave të përfaqësuesve të lartë të BE-së në Kosovë, kryediplomates së bllokut, Kaja Kallas,  dhe Antonio Costa, kryetar i Këshillit Evropian.

“Nesër do ta kemi seancën e 23-të në tentim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Çfarë imazhi është ky në sytë tanë? Nuk dua të hyj në të më shumë.... Mirëpo në fund të fundit detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjnë politikanët. Kemi pasur përfaqësues të lartë të BE-së, dy javë më parë Costa dhe javën e kaluar Kallas dhe mesazhet ishin të qarta - bëni detyrat e shtëpisë”, ka deklaruar ambasadori Rohde.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të shikojë se çfarë bën fqinji i saj, por, sipas tij, duhet t’i kryejnë detyrat e veta.

“Mendoj se kemi nevojë edhe për mendësi ndryshe. Dje fola me një anëtar të qeverisë në detyrë, dhe i thashë se ka shumë çështje në lidhje me anëtarësimin në BE, ndër to dhe çështja e përftimit të politikave për vizat. Ai më tha se Serbia nuk e bën, nuk e bëjmë as ne”,  ka deklaruar Rohde, për çka ka theksuar se “kjo nuk është serioze”.

E sipas ambasadorit francez, Oliver Guerot, Kosova gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve, por që mund ta izolojë veten duke mos dëgjuar miqtë.

“Ju nuk jeni të izoluar, përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkaqe të ndryshme për të mos respektuar zotimet e ndërmarra. Po e përsëris thirrjen e Jorn, dëgjoni miqtë tuaj”, ka thënë ambasadori francez, Oliver Guerot.

Thirrje për formim të institucioneve të reja në Kosovë bëri edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven.

“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formën përmes rezultateve konkrete”, ka thënë ambasadorja Boven .

Gjatë këtij diskutimi ambasadorët i bënë thirrje Kosovës sërish ta themelojë Asociacionin, për të cilën theksuan se është një nga detyrat kryesore të saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Një temë për të cilën të gjithë flasin - por të cilën politikanët këtu në Kosovë nuk pëlqejnë ta përmendin - është Asociacioni. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, deklaroi shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

E ambasadori francez Guerot theksoi se Kosova nuk duhet “pyes veten se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet Asociacioni, por çfarë ndodh nëse ai nuk bëhet. Përgjigjen besoj e dini”.

Bashkimi Evropian ua ka bërë me dije vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është kusht për secilën në rrugën e tyre drejt integrimit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës deri tash kanë dështuar për njëzet e dy herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ndryshe të enjten, për herë të 23-të me radhë, deputetët do të tentojnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi deputetët nuk po mbështesin kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të formohet një komision për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Para këtij propozimi, në disa seanca emri i Albulena Haxhiut nuk mori 61 votat e kërkuara për kryeparlamentare. 
Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi, sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 mandate në Kuvend.

Përkrahjen Vetëvendosje e ka edhe nga 8 deputetë të komuniteteve joshumicë.

Por, pavarësisht kësaj, është 5 ulëse larg sigurimit të shumicës së thjeshtë prej 61 votave, aq sa së paku i duhen për votimin e kryetarit të Kuvendit e për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.