Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, bashkë me shefin e zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin dhe zëvendësministrin e MASHTI-t kanë lansuar iniciativën e “pasaportës mësimore”.
Kurti ka thënë se pasaporta mësimore është shembull i shkëlqyeshëm se si teknologjia dhe kurikulat digjitale mund të përdorën për arsimimin e fëmijëve.
Sipas tij, në Kosovë kjo iniciativë do të arrijë më shumë se 3500 adoleshentë.
“Në Kosovë programi UNICEF-it bën punë të mirë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kjo zyre ka tri programe që do t’i akreditojë, këto programe janë të dizajnuara rreth aftësive konkrete të nevojshme për shekullin XXI. Ne besojmë që përfitimet nga këto programe do të jenë të shumta, së pari duke adresuar për mospërputhjen e sistemit arsimor me kërkesat dhe mundësitë për punësim dhe pastaj duke iu dhënë nxënësve mjete për të qenë aktiv dhe produktiv”, ka thënë ai.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se kjo iniciativë do të ndihmojë të rinjtë dhe fëmijët që të mësojnë.
Sipas tij, populli i Kosovës është më i riu në Evropë dhe meriton edukim të mirë.
“Ne duhet të eksplorojmë të gjithë se bashku për më të mirën e fëmijëve në këtë kohë të vështirë.
Ai tutje ka folur edhe për ndihmat që do t’i sjellin në Kosovë, derisa ka shtuar se këtë javë do të vijnë 2 ton ndihma për ministrinë e Shëndetësisë.
Zëvendësministri i MASHTI-t ka falënderuar UNICEF-in për programet e realizuara në Kosovë.
Ai ka thënë se “pasaporta e mësimit” e vendosë Kosovën në hartën globale.