Pamje që do të ruanin origjinalitetin e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe në të njëjtën kohë do t’i transferonte vizitorët në vitin 1998, kur ka ndodhur ngjarja.
Ishte kjo ideja e arkitektit, tani kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, kur në vitin 2010 bëri projektin për monumentin e Prekazit.
Ai kishte planifikuar të krijohej një ambient ku ngjarja do të tregohej në mënyrë audio-vizuale me anë të dritave dhe efekteve, në mënyrë që ngjarja të përjetohej më realisht.
Si drejtor ekzekutiv i kompanisë “4M Group”, me këtë projekt ai mori pjesë në konkursin që do ta mundësonte trajtimin e këtij kompleksi, si monumenti më me vlerë i luftës së Kosovës.
Si i tillë, Rama thotë se nuk dihet ku ka mbetur si proces, pasi nuk ka pasur transparencë.
“E kemi bërë projektin 2010 atëherë ka qenë një urgjencë e madhe për mbrojtjen e monumenteve. Proceset kanë qenë jo transparente dhe projekti jonë nuk e di as ku ka mbetur atëherë. Mirëpo gjërat kanë vazhduar, nuk e di ku është procesi tani përveç aspektit të konkursit të atëhershme”, tha Rama.
Rama sugjeron që të bëhet një intervenim më i shpejtë në këtë kompleks, pasi është e rëndësishme mbrojtja e tij.
“Puna ime është Prishtina tani. Ai projekt duhet të ndodh, monumentet duhet të mbrohen. Duhet të jetë një konkurs i mirëfilltë ndërkombëtarë të zgjidhet më I mirë. Specifikim i materialeve që e mbrojnë monumentin edhe në mënyrë më të mirë duhet të përdoren për shkak se teknologjia ka avancuar dhe specifika duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundur në mbrojtje të monumenteve të heroit tonë Adem Jashari”, tha ai.
Vitin e kaluar është themeluar Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Me këtë rast ata kanë njoftuar se është bërë studimi profesional i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit. Pas kësaj kanë filluar edhe ndërhyrjet e para.
Kjo do t’i paraprijë konkursit ndërkombëtar për masterplanin e këtij kompleksi.
“Me miratimin e këtij raporti, Komiteti mandatoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në ndërtesat e lartpërmendura. Ndërhyrjet kanë filluar dhe puna do të vazhdojë me përkushtim të lartë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet, profesionistët dhe familjen Jashari. Puna në kuadër të ndërhyrjeve emergjente po vazhdon në kullën e Hamit dhe Sala Jasharit. Paralelisht me ndërhyrjet emergjente po punohet në hartimin e detyrës projektuese që do t'i paraprijë konkursit ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial”, thuhet nga MKRS-ja.
Ndryshe, në raportin vlerësues të bërë nga ky komitet është paraparë mbrojtje e ndërtesave nga shembjet progresive dhe sanimin e elementeve primare që janë dëmtuar, por që nuk janë klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm.
Ndërsa në objektin nr. 4 dhe nr. 5, është parë e nevojshme të ndërhyhet urgjentisht për marrjen e masave mbrojtëse duke i klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm.