Kulturë

Pesë projekte të “sheshit monumental për Adem Jasharin” presin votën

Adem Jashari

Pesë projekte për sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes Jashari, për një javë do të jenë të ekspozuara në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës

Me konkurs ndërkombëtar, Komuna e Prishtinës synon ta gjejë projektin në bazë të të cilit do të ndërtohet ai që është quajtur shesh monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Nisma e kahershme për shtatore tash është “zgjeruar” në këso forme. Pesë propozime presin votën e qytetarëve të Prishtinës, në atë që kryetari Përparim Rama e ka quajtur “fazë shumë të rëndësishme të procesit”

Nuk bëhet fjalë për shtatore, por për kompleks monumental ku synohet të paraqitet krejt sakrifica e familjes Jashari gjatë viteve ’90. Projektet variojnë në stile të ndryshme. Paraqesin skulptura monumentale e dizajne arkitekturore, nëpërmjet të cilave synohet që të simbolizohet kontributi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Pesë projekte, për një javë do të jenë të ekspozuara në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës.

Nëpërmjet prezantimit të kësaj ekspozite, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka një numër të madh aplikimesh në konkursin ndërkombëtar.

“Këtu kemi pesë projekte, pesë më të mirat. I ftoj qytetarët që të marrin pjesë në këtë ekspozitë shumë interesante me propozime shumë domethënëse për Adem Jasharin, familjen Jashari për sakrificën që kanë bërë për liri e pavarësi që e gëzojmë”, ka thënë ai të mërkurën. Rama ka thënë se kanë dëshirë që qytetarët të votojnë dhe ta shohin se cili nga projektet u duket më i përshtatshmi apo më i miri.

“Kjo është fazë shumë e rëndësishme e procesit. Ne kemi qenë në komunikim edhe me familjen Jashari. Një përfaqësues i tyre ka qenë pjesë e jurisë që ka vendosur që këto pesë projekte të jenë projektet kryesore. Ashtu siç jam zotuar, heroi ynë do ta ketë vendin në kryeqytet”, ka thënë Rama. Projektet ku arkitektura shkon krahas skulpturave monumentale janë propozuar në dimensione të ndryshme.

Në konkursin e hapur në mesin e marsit të sivjetmë mungonte lokacioni. Asokohe fillimisht njoftimi ka kërkuar që bashkë me projektin të propozohet edhe vendi. Në mbrëmje vonë kishin ndërruar hesapet.

“Hapet konkurs për sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, titullohej konkursi në platformën “Shërbimi i arkitektit të qytetit”. Aty bëhej e ditur se është hapur konkurs për sheshin monumental që simbolizon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si dhe peshën e saj në rrugëtimin drejt çlirimit.

Në këtë konkurs bëheshin të ditura informata bazike. Sqarohej se sheshi do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

Te qëllimi bëhej e ditur se monumenti synohet të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në Lëvizjen Çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

“Monumenti së bashku me sheshin duhet të jenë një tërësi e arkitekturës peizazhore. Dizajni i monumentit duhet të ngjallë emocione dhe dinjitet duke përcjellë frymën e sakrificës me elemente të tilla, si: uniteti, rezistenca e liria”, shkruhej në konkurs.

Por te lokacioni Komuna gjatë asaj dite kishte  luajtur me dy versione. Fillimisht gjatë në konkurs ishte shkruar: “Të identifikohet dhe propozohet një vend-shesh i spikatur brenda qytetit të Prishtinës, ku do të vendoset monumenti”. Në mbrëmje vonë Komuna kishte bërë revidim.

“Specifikat e lokacionit për sheshin monumental do t’u jepen konkurruesve bashkë me dokumentacionin përkatës”, shkruhej më pas. Aty rekomandohej që të merrej parasysh afërsia me monumentet historike, hapësirat publike ose zonat e rëndësishme për Lëvizjen Çlirimtare.

Afatet kohore nuk kanë qenë të përfshira kur është hapur konkursi. Janë përfshirë në mbrëmjen e asaj dite dhe është bërë e ditur se data e mbylljes së aplikimeve është 15 prilli, dorëzimi i projekteve deri më 29 maj, përzgjedhja e projekteve do të bëhet më 14 qershor, prezantimi i tyre prej 17 deri më 28 qershor, kurse shpallja e fituesve më 29 qershor 2024. Por nuk ka ndodhur kësisoj. Ende nuk dihet se për çfarë shumash financiare bëhet fjalë për projektin fitues e për vendin e dytë dhe të tretë. Dhe as për kapacitetin buxhetor të Komunës për të realizuar projektin.

Vitin e kaluar Komuna kishte paraparë 200 mijë euro për këtë projekt. Sivjet në buxhet nuk ka asnjë cent të paraparë në veçanti për këtë projekt.

Sa i përket lokacionit, historia është aq e gjatë sa edhe e paralajmërimeve për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë. Në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.

“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari, në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019.

Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhej fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Vitin e kaluar asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari.

Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe kryetari i PDK-së, ish-ministër i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.