Arbëri

Kuvendi shënoi edhe një dështim, pa u diskutuar mbetën 50 pika të rendit të ditës

Edhe njëherë, Projektligji për automjetet nuk kaloi në Kuvend.

Kështu, ra poshtë propozimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, për zgjatjen e kohës së importit të veturave deri në 15 vjet, raporton KTV.

Lushtaku, madje, propozoi që amendamenti i dytë i tij të largohet, meqë, sipas tij, kështu janë koordinuar me grupet parlamentare.

Kjo ngjalli reagimin e shefit të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sipas tij, propozimi i ri nuk është diskutuar në komisionin përkatës.

Pika e vetme që kaloi në pjesën e parë të seancës, ishte kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale, për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019.

Nga 5 pikat tjera të propozuara për votim, nuk kaloi asnjëra.

Kësisoj, nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, në konsultim me shefat e grupeve parlamentare, shtyu seancën për në ora 13 e 30 min.

Në konsultim me kryetarët tjerë të grupeve nuk ishte Avdullah Hoti i LDK-së dhe Glauk Konjufca i VV-së.

Por, meqë shumë pak deputetë u rikthyen pas pauzës, u mor vendim për ndërprerjen e seancës.

Për seancën e së mërkurës nuk u vërejt interesim prej mëngjesit. Aty ishte paraparë të votoheshin pikat e papërfunduara të 5 seancave plenare.