Seanca e së mërkurën e Kuvendit është e para e këtij sesioni, në të cilën janë marrë vendime. Deputetët kanë miratuar një varg ligjesh, por edhe kanë dështuar të miratojnë disa të tjera, si atë për IVF-në. Për shkak të mungesës së kuorumit, u shtynë tri marrëveshje ndërkombëtare. E, me votën e deputetëve të subjekteve në pushtet, u rrëzuan rezolutat e propozuara nga opozita gjatë debateve të jashtëzakonshme, të organizuara së fundmi
Rendi i ditës, me të cilin u hap seanca e parë e këtij sesioni parlamentar para rreth dy muajsh, arriti tek të mërkurën që të trajtohet nga deputetët.
Në fillim të mbledhjes u bënë katër votime për t’u dëshmuar prania e 61 ligjvënësve në seancë, meqë opozita nuk votoi për prezencë në sallë.
“Ju lutem deputetë të mazhorancës, të jeni më të koncentruar”, ka qenë kërkesë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, adresuar kolegëve të tij që janë pjesë e koalicionit.
Pas përpjekjeve disaminutëshe të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, 61 deputetët e pushtetit e nisën procesin e votimit, që për disa seanca ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së kuorumit.
Për të njëjtin problem, të mërkurën u shtynë për miratim tri marrëveshje ndërkombëtare.
Me votat e deputetëve të subjekteve në pushtet, e në disa raste edhe të deputetit të larguar nga Vetëvendosje, Eman Rrahmani, Kuvendi miratoi 5 projektligje, Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028, e disa rezoluta e raporte të tjera.
Por, sërish për shkak të dallimeve në qëndrime brenda deputetëve të koalicionit, nuk kaloi projektligji për IVF-në, ai për gjendjen civile, si dhe projektligji për provimin e maturës shtetërore.
Votë nuk iu dha as amendamentit të Projektligjit për Automjete, i propozuar nga opozita.
“Duke e ditur që e kanë të vështirë që të blejnë një veturë me një standard ekonomik të familjeve të ulëta dhe të mesme dhe prandaj duke parë që ligji për automjete ia ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, unë e kam propozuar që ky kufizim të largohet”, ka thënë Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së, i cili pati propozuar ndryshimet në ligj.
Por, deputetë të partisë në pushtet theksuan se ndryshimet ligjore do të sponsorizohen nga ministria e lindjes.
Fitore Pacolli, deputete e LVV-së, tha se ndryshimet e propozuara nga Lushtaku nuk kanë kaluar në komision.
“Komisioni mendon se propozimet janë joprofesionale, prandaj edhe u kërkojmë deputetëve që të mos i votojnë. Po ashtu, Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës është duke punuar në hartimin e ligjit të ri”, ka thënë ajo.
Në mbledhje kaluan edhe ndryshimet në Projektligjin për Zyrtarët Publikë, që mes tjerash, lejojnë mbajtjen e pozitës së ushtruesve të detyrës një vjet plus një vjet, nga 6 plus 6 muaj sa është tash.
Kjo mori kritika nga Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së.
“Sot çdo zyrtar i mesëm dhe i lartë ndihet i rrezikuar prej presionit politik dhe provizionit të normimit me ligj të ushtruesit të detyrës, 1+1. Mos harroni, secila qeveri që vjen do të mundohet ta ketë 1+1 ushtruesin e detyrës, me një email ta mbajë në detyrë dhe me një email ta shkarkojë”, ka thënë ai.
Në kohën e votimit të rezolutave që kanë dalë nga debatet e jashtëzakonshme të opozitës që janë mbajtur ditëve të fundit, deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së nuk kanë qenë në seancë.
Kolegë të tyre të partive në pushtet i rrëzuan ato me votë kundër.
Me direktivat e Kusari-Lilës që të votohet kundër, u rrëzua edhe rezoluta nga debati parlamentar për komunikimet e saj me Milan Radoiçiqin.
Si pasojë e mungesës së opozitës në seancë, mbeti pa trajtim projekt-rezoluta për çështjen e emigrimit të qytetarëve nga Kosova, që është propozuar në shkurt të këtij viti.