LAJMET E MBRËMJES

Mungesa e kuorumit në seancën e sotme pamundësoi shqyrtimin e 29 pikave

Seanca e Kuvendit e paraparë për të mërkurën dështoi si rezultat i mungesës së deputetëve. Mungesa e tyre është kritikuar nga monitorues të punës së Kuvendit, të cilët thonë se kjo po e dëmton agjendën legjislative dhe trajtimin e duhur të ligjeve. Sipas tyre, përveç deputetëve individualisht, përgjegjësinë e dështimit të seancave e mban edhe shumica parlamentare

Vetëm pesë deputetë ishin në sallë dhe në kohë të duhur për të nisur seancën e përcaktuar për orën 12.00 të mërkurën.

Ata mes vete e diskutonin vonesën e kolegëve në mbledhjen ku duhej të diskutohej për pikat e papërfunduara nga gjashtë seanca.

Pas 30 minutave, në seancë u mblodhën 50 deputetë, 6 prej të cilëve u larguan sërish dhe nuk qenë të pranishëm kur kryeparlamentari tentoi t’i fillonte punimet.

“Gjysmë ore është bërë prej kur është ftuar kjo seancë, është dashur t’ia niste. Vetëm 44 deputetë mesa po e shoh janë të pranishëm. Nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, shihemi në seancën e nesërme”, ka thënë kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Nga 50 deputetët e nënshkruar për pjesëmarrje në këtë seancë dhe për mëditje, 38 ishin nga partia në pushtet - VV, 7 nga PDK-ja, 5 nga LDK-ja e asnjë nga Aleanca.

Arbër Thaçi, monitorues i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mospjesëmarrja e ligjvënëse në mbledhjet e Kuvendit, ndikon keq në agjendën legjislative dhe në trajtimin e ligjeve.

“Ndikon mbi agjendën e punës parlamentare mbi cilësinë e punës parlamentare meqenëse shtyrjet e shumta të seancave me këtë arsye dhe ngarkimi i agjendës parlamentare në kuptim të përmbledhjes së shumë pikave në një seancë po e dëmton trajtimin e duhur ose ideal që do të duhej t’u bënin deputetët projektligjeve”, ka thënë Thaçi.

Mungesa e kuorumit në seancë la pa u shqyrtuar 29 pika. Pa trajtim mbetën 7 projektligje, mes tyre edhe ai për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor. Përveç deputetëve individualisht, për këtë dështim, Thaçi përgjegjës e bën shumicën parlamentare.

“Mendoj që përgjegjësia për pjesëmarrje bie individualisht mbi secilin deputet. Së dyti, meqenëse kemi të bëjmë me një mazhorancë të konsoliduar, e cila e përfaqëson një shumicë, në kuptim të numrave të pahasur më parë, përgjegjësia më e madhe bie tek ta”, ka thënë Thaçi.

Prej fillimit të sesionit pranveror, Kuvendi ka miratuar në të dy leximet gjithsej 20 ligje. E në procedurë janë 49 projektligje, disa prej të cilave nuk janë shqyrtuar që nga viti 2021.