Arbëri

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të premten në parim projektligjin për Gjykatën Komerciale

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka bërë të ditur se më pas komisioni funksional dhe komisionet e përhershme do t’i paraqesin Kuvendit të Kosovës raportin me rekomandime.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si e autorizuar nga ajo e Drejtësisë, e ka paraqitur para deputetëve projektligjin për miratimin e tij në parim.

Sipas saj, kjo gjykatë do të prodhojë nivel më të lartë të profesionalizmit dhe efikasitetit në zgjidhjen e çështjeve komerciale.

Ajo ka folur edhe për risitë e Gjykatës Komerciale, ku theksoi se gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, i cili do të shërbej edhe si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

“Gjykata Komerciale do të funksionojë në dy nivele, atë Themelore dhe të Apelit me qëllim të zgjidhjes së kontesteve komerciale por edhe atyre administrative që ndërlidhen me ato komerciale. Një gjë e tillë është e pashmangshme ashtu që të zgjidhen të gjitha çështjet e ndërlidhura me rastin të ndërlidhura me ato administrative dhe komerciale, me qëllim të adresimit të të gjitha nevojave të bizneseve nga një qendër e vetme. Po ashtu, gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, i cili do të shërbej edhe si gjyqtar në panelin e Apelit. Njëkohësisht në bazë të standardeve të parapara në raportet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë mbi rolin e kryetarëve të gjykatave, kryetari do të ketë rol menaxherial por edhe do të kryej punë të gjyqtarit”, ka njoftuar Hajdari.

Më tej, ajo tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të rekrutojë gjyqtarë të ri të cilët do të shërbejnë në këtë gjykatë. Sipas saj, do tu mundësohet bizneseve që të adresojnë çështjen edhe në një shkallë.

Hajdari ka shtuar se viti i parë i zbatimit do të jetë viti 2022.