Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi miraton në parim Projektbuxhetin për vitin 2027

Kuvendi 11 nennëtor

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës, pak para mesnatës, ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027. 

Pas shumë orëve debat, e ndërprerjes së rrymës në dy raste, Kuvendi miratoi në lexim të parë

Projektligjin mbi ndarjet buxhetore me 61 vota pro. Tetë ishin kundër. 
 

Ndalet rryma në Kuvend

1 o. më parë / 19 nën 2026 22:34
kuvendi

Rryma është ndalur në Kuvendin e Kosovës në kohën kur po diskutohet për buxhetin e vitit 2027. 

Transmetimi live i seancës është ndërprerë edhe në kanalin e Kuvendit në Youtube. 

Deputeti i LDK-së Ermal Sadiku e ka publikuar një video nga momenti kur rryma është ndërprerë.

Për këtë ka shkruar edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri. 

“Rryma u ndal, sistemi jashtë funksionit, ende duke folur për buxhet”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

 

Lushaku-Sadriu: Buxheti për arsimin është zvogëluar

5 o. më parë / 19 nën 2026 19:01
Lushaku-Sadriu

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se buxheti për arsimin është zvogëluar. 

Ajo ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e ka prioritet arsimin. Por Lushaku-Sadriu ka deklaruar se s’mund të jetë prioritet një fushë për të cilën sipas saj, buxheti është zvogëluar. 

“Nëse kryeministri thotë që arsimi është prioritet, po i them që e ka zvogëluar buxhetin e arsimit. Buxheti në vitin 2027 parashikohet rritja por granti për arsim zvogëlohet”, ka thënë Lushaku Sadriu. 

Ajo ka thënë se edhe pse ministri i Arsimit Hajrulla Çeku para një muaji ka thënë se janë bindur që mësimi tërëditor është reforma e duhur, nuk ka ndarë buxhet për të. 

Lushaku-Sadriu ka thënë se në pesë komuna për çerdhe ka zero buxhet. Ajo ka thënë se as buxheti për asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta nuk është rritur. 

“Nuk e di se për çfarë prioriteti po flet”, ka theksuar Lushaku- Sadriu. 

Kurti përmend arsimin e drejtësinë si shkaqet kryesore të migrimit

5 o. më parë / 19 nën 2026 19:00
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se importet janë rritur në Kosovë, pasi sipas tij është rritur edhe fuqia blerëse. 

“Është zgjeruar klasa e mesme në Kosovë. Ky zgjerim vjen nga disa faktorë, një nga ta është rritja e pagave, po ashtu rritja e punësimit, rritja e pensioneve, shtesat për nëna e fëmijë”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit ku po debatohet për buxhetin. 

Ai ka thënë se është trefishuar paga minimale e po ashtu është rritur paga në sektorin publik, por thotë se do të kishte dëshirë që pagat në sektorin privatë të ishin rritur më tepër. Kurti ka thënë se nga janari deri në tetor shpejtësia e eksporteve e rritjes së eksporteve ishte trefishë më e madhe se e importeve. 

“E vërtetë se fatura e importit po vjen duke u rritur, por shumë më shpejt po rritet eksporti”, tha Kurti. 

Sa i përket Brezovicës, ai ka thënë se deri para tre vjetëve ishte e pamundur të investohej, pasi e kontrollonte Inexi i Beogradit. 

Por, thotë se tash nuk është kjo pengesë dhe janë krijuar kushtet e vërteta.

Për investimet e huaja direkte Kurti ka thënë se janë dyfishuar në Kosovë, por thotë se problem është struktura ku po investohet. 

“Edhe mëtutje investohet në patundshmëri, banesa e tokë. Por, tokë që jo doemos punohet. 

E për migrim si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë vendit, ai i ka cekur dy shkaqe kryesore: cilësinë e arsimit dhe drejtësinë. 

Ai ka thënë se qytetarët detyrohen të migrojnë nga zonat rurale të komunave, për shkak të kushteve jo të mira e sidomos të cilësisë jo të mirë të arsimit.

“Mund t’i rregullojmë të gjithë, industrinë, mbrojtjen, sigurinë, investimet, kulturë, sport. Por, sfidë e madhe mbetet arsimi. Në arsim duhet të mbjellësh sivjet e dy vjetët në vijim, që me korr pas 10 -15 vjetëve. Është shumë e ngadalshme, duhet stabilitet i madh. E ka sfida që i ka edhe bota”, tha Kurti. 

Ai tha se do të kishte dëshirë që të centralizohej puna e arsimit, "por nga propizimi i Marti Ahtisaarit, arsimi u takon komunave". Ai tha se kjo u bë shkaku i 10 komunave me shumicë serbe. 

Po ashtu ka thënë se problemi tjetër është drejtësia, ku shumë qytetarë janë të pakënaqur.

“Duhet të rregullojmë drejtësinë e arsimin. Jam optimist për krejt tjerat, por për këto dyjat jam optimist i përmbajtur. Është sfida jonë në vitet në vijim”, tha Kurti. 

Kurti, duke iu referuar një analize, ka thënë se komunat me shumicë serbe nga viti 2008 e tutje kanë marrë 50 për qind më tepër buxhet sesa mesatarja e buxhetit të komunave tjera të Kosovës. 

Ai ka thënë se tash “disa që po humbin privilegjet po u duket padrejtësi”. 

“Fakti që i ke humbur ato është drejtësi...Askush nuk ka dëshirë të paguajë energjinë elektrike. Kur veriu fillon ta paguajë, duket padrejtësi diqysh pasi je mësuar 20 vjet mos me pagu. Humbja e privilegjeve përjetësohet si padrejtësi”, tha Kurti.

 

Murati i kundërpërgjigjet kritikave të Abdixhikut për buxhetin: Kemi krijuar kushte për punësim

6 o. më parë / 19 nën 2026 17:38
Hekuran Murati

Ministri i Financave Hekuran Murati ka reaguar sot ndaj kritikave të opozitës për politikat sociale dhe ekonomike të Qeverisë, duke thënë se gjatë mandatit të tyre janë krijuar kushte për punësim, krahas mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për buxhetin 2027 në Kuvendin e Kosovës, ministri Murati tha se Qeveria është përqendruar në mbështetjen e fëmijëve dhe pensionistëve, ndërsa për personat e aftë për punë ka krijuar mundësi punësimi.

Ai deklaroi se numri i të punësuarve është rritur për 100 mijë gjatë mandatit të tyre, nga 350 mijë në 450 mijë, duke shtuar se krahas rritjes së punësimit janë rritur edhe pagat.

“U tha që qytetarët nuk duhet mbështetur, por krijuar kushte për punësim, ne kemi bërë të dyja. Fokusi ka qenë që mbështetje të japim për ato grupe të shoqërisë të cilat nuk marrin pjesë në tregun e punës, për grup moshat 0-16 dhe pensionistët. Për ata që janë të aftë për punë, kemi krijuar kushte për punësim. Kur e kemi marrë mandatin ka qenë 350 mijë të punësuar. Aktualisht janë 450 mijë sosh. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeverisje më parë. Krahas shtimit të punës, kemi pasur edhe rritjen e pagave, ka pasur sfida, shpesh po përmendet inflacioni, meqenëse Kosova valutën euro nuk e ka që e shtyp vetë, e kemi adoptuar euron, ne jemi të hapur apo ekspozuar edhe ndaj inflacionit”, tha Murati.
 

Aleanca: Projektbuxheti i 2027-s konsumues e pa zhvillim ekonomik

7 o. më parë / 19 nën 2026 16:42
Teuta Haxhiu

Aleanca ka paraqitur kritika për Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Deputetja e kësaj partie Teuta Haxhiu, ka thënë se buxheti i prezantuar nga Qeveria nuk është zhvillimor, është konsumues dhe pa zhvillim të mjaftueshëm ekonomik. 

Haxhiu në seancën ku Projektbuxheti po shqyrtohet në parim ka thënë se në të nuk është paraparë se sa ka rritje të importit gjë që sipas saj do t'i rriste të hyrat. 

“Inflacioni zyrtar në këtë Projektligj për vitin 2027 është 7.8 për qind, pra kemi zvogëlim real të buxhetit. Aty ku duhet të ketë zhvillim dhe duhet të investohet ju si Qeveri ngecni”, është shprehur deputetja e Aleancës. 

Haxhiu ka thënë se kontributin e tyre si parti në këtë Projektbuxhet do ta japin në mes të dy leximeve.

Abdixhiku: Me ndihma e pa investime, s’do të kemi kurrë jetë të mirë në Kosovë

7 o. më parë / 19 nën 2026 16:41
Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është e vështirë të bëhet një debat i sinqertë për buxhetin, kur buxheti i vitit 2027 premton kryesisht paga më të larta, shtesa për fëmijë e ndihmë. 

Abdixhiku në seancën e Kuvendit ka thënë se është i vetëdijshëm se njerëzit presin çdo ndihmë shtesë dhe se në rrethanat e tanishme kjo është shpresa e vetme e tyre. Ai ka thënë se këto ndihma janë edhe burimi i problemeve të qytetarëve. 

“Ndiej domosdoshmërinë të them të vërtetën dhe kur nuk na pëlqen e nuk është popullore. Dua të flasë për qytetarët e Kosovës me të vërtetën e vetme edhe nëse nuk u pëlqen. Kjo e vërtetë thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime, s’kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji, e me standard të jetesë. Vitet kalojnë, e do të na rriten çmimet e do të kemi nevojë më tepër për ndihma. E ato ndihma do të vazhdojnë të rrisin çmimet, sepse këtë punë dijnë me bë, ta rrisin konsumin”, ka thënë Abdixhiku. 

Ai ka thënë se LDK-ja ka synim që të rritet koeficienti për paga në 150 euro, por edhe ka synime shumëfishë më të mëdha për investime kapitale. Ai ka thënë se mund të bëhen dyja edhe ndihma edhe investime. 

Ka thënë se duhen të ndërtohen kapacitete të reja për prodhim të energjisë, e duhet të ndërtohen rrugë. Ka thënë se duhet të ketë mësim tërëditor në gjithë Kosovën dhe duhen investime në sektorin e teknologjisë. 

“Me këtë trend do të duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e Bashkimit Evropian”, tha Abdixhiku. 
Ai ka thënë se Kosova, duke u mbështetur në ligj, mund të gjenerojë deri 3 miliardë euro kredi jashtëzakonisht të buta duke e rritur borxhin publik e me to të investojë. Po ashtu ka thënë se 3 miliardë euro nga Fondi Pensional janë investuar në vende tjera, e mund të investohen në Kosovë. 
“Po ngecim në cikël që na mban në të njëjtin vend”, tha Abdixhiku. 

Abdixhiku ka thënë se buxheti 4.27 miliardë euro i vitit 2027 është 7 për qind më i madh se buxheti i vitit 2026, por aq thotë se ka qenë edhe inflacioni. 

“Vlera e këtyre 4.3 miliardë euro si fuqi blerëse është e njëjtë me 4 miliardë euro të vitit të kaluar”, tha ai. 

Abdixhiku ka thënë se rritja ekonomike është e pamjaftueshme, dhe se duhet të ketë 7-8 për qind rritje vjetore ekonomike. 

“Me ndihma e pa investime nuk bëhet ekonomi”, tha ai. 
 

Lushtaku: Qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik, jo vetëm për ndihma sociale

7 o. më parë / 19 nën 2026 16:38
Mergim Lushtaku

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se rritja e buxhetit të shtetit nuk po reflektohet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. 

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Lushtaku deklaroi se, pavarësisht rritjes së buxhetit, qytetarët vazhdojnë të përballen me paga të pamjaftueshme, çmime të larta të produkteve ushqimore dhe fatura të shtrenjta të energjisë elektrike.

“Sot kemi përpara projektbuxhetin për vitin 2027 në vlerë prej rreth 4 miliardë e 270 milionë eurosh. Qeveria e paraqet këtë shumë si dëshmi të suksesit ekonomik, por pyetja është a po rritet mirëqenia e qytetarëve po aq sa po rritet edhe buxheti i shtetit, sepse qytetari nuk jeton me miliarda në letër, por me pagën, pensionin, çmimin e ushqimeve me çmimin e faturat e larta të energjisë elektrike”, tha Lushtaku.

Duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Lushtaku kërkoi llogaridhënie për premtimet e dhëna ndër vite, duke përmendur ndërtimin e 160 çerdheve, 4 mijë banesave për familjet e reja, modernizimin e hekurudhave dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore.

Ai theksoi se, pas disa vitesh në qeverisje, qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo përsëritje të premtimeve.

“Sot nuk është koha të kërkoni besimin për premtimet tuaja. Sot është koha të jepni llogari edhe për rezultatet që nuk i kanë marrë qytetarët e vendit”, deklaroi Lushtaku.

Duke iu referuar të dhënave të Institutit GAP, ai tha se gjatë viteve 2021-2024 investimet kapitale të realizuara kanë qenë rreth një miliard euro më të ulëta sesa planifikimet e Qeverisë.

Ai përmendi si shembuj Unazën e Prishtinës, projekt me vlerë prej 61 milionë eurosh, për të cilin në planifikimin e vitit 2027 janë paraparë vetëm një milion euro, si dhe Rrugën e Dukagjinit, me vlerë prej 31 milionë eurosh, për të cilën është planifikuar e njëjta shumë.

Sipas tij, investimet në infrastrukturë nuk duhet të shihen vetëm si projekte ndërtimore, por si mundësi për tërheqjen e investimeve, uljen e kostove të transportit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai tutje ka thënë se nuk janë kundër ndihmave ndaj familjeve në nevojë, shtesave për fëmijë apo pensionistë, por sipas tij, ndihma sociale nuk mund të zëvendësojë zhvillimin ekonomik. 

“Një politikë e mirë sociale ndihmon qytetarin në vështirësi, një politikë e mirë ekonomike ndihmon që të mos mbetet vazhdimisht i varur nga ndihma dhe pikërisht këtu qëndron problemi jonë me këtë projektbuxhet”, është shprehur ai.

VV-ja e mbështet Projektbuxhetin e 2027-s: Përkthim i programit qeverisës

7 o. më parë / 19 nën 2026 16:14
Enver Haliti

Lëvizja Vetëvendosje (VV) e ka mbështetur Projektbuxhetin për vitin 2027. 

Deputeti i kësaj partie Enver Haliti, ka thënë se buxheti është përkthim i programit qeverisës dhe i premtimeve e prioriteteve në vendime. 

“Ky buxhet ndërtohet mbi kapacitetin e të hyrave të rregullta, ai nuk mbështetet në fondet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nuk planifikon financim përmes klauzolës së investimeve”, ka thënë Haliti, duke shtuar se kjo paraqet një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e financimit të investimeve kapitale. 

Ai ka thënë se për vitin 2027 janë planifikuar mbi 1 miliard e 70 milionë euro investime kapitale. 
Haliti ka thënë se përtej shumave duhet që deputetë të ketë kujdes për realizmin e tyre në terren. 

Ai u ka kërkuar organizatave buxhetore që të punojnë për realizim të tyre.  

Kurti për buxhetin e vitit 2027: Synon ta çojë Kosovën në fazë të re të transformimit ekonomik

7 o. më parë / 19 nën 2026 16:12
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027 para deputetëve të Kosovës. Ai ka thënë se buxheti i paraparë është 4.27 miliardë euro, rreth 200 milionë euro më i madh sesa buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë më i madh se buxheti i vitit 2026. 

Projektbuxheti që ka kaluar në Qeveri, është duke u shqyrtuar në lexim të parë në Kuvend. 

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij është transformuar struktura e të hyrave buxhetore. Ka thënë se 60 për qind të hyrave janë të siguruara nga Administrata Tatimore e Kosovës, e 40 për qind nga Dogana, që është e kundërta nga mandatet e kaluara. 

Ka treguar se në buxhet parashihen 908 milionë euro financime për komuna, që është niveli më i lartë i financimit komunal. Po ashtu ka thënë se do të rritet mbështetja financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë dënuar në shkallë të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë. 

Ai ka thënë se edhe vitin e ardhshëm më 1 janar parashihet paga e 13 për punonjësit e sektorit publik, e nga korriku do të rritet koeficienti i pagave në 120 euro. 

“Buxheti për paga do të jetë 1 miliard e 85 euro, që nëse pjesëtohet me 85 mijë punonjës publik, është mesatarisht 1000 euro bruto”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se shtesat për fëmijë do të rriten në 4 faza me nga 25 për qind. Do të rriten çdo vit nga 25 për qind nga vlera sa është sot. 

“Familja me dy fëmijë që merr tash 60 euro, do të marrë nga janari i vitit të ardhshëm 75 euro, e familja me katër fëmijë që merr 180 euro nga janari do të marrë 225 euro”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se investimet kapitale për herë të parë do të kenë buxhet mbi 1 miliard euro. Ka përmendur ndërtimin e Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël-Banullë, autoudhën Dukagjinit. Po ashtu ka përmendur ndërtimin e digave të reja e gjithashtu linjë të veçantë buxhetore për ndërtimin e infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. 

Ka thënë se parashihet themelimi i një kompanie kombëtare ajrore. Ndërsa po ashtu edhe investime tjera në turizëm.  

“Ky buxhet synon ta çojë Kosovën përpara nga një fazë e rritjes ekonomike, në një fazë të re të transformimit ekonomik”, tha Kurti.