Javën e ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca.
Java do të fillojë me seancën që shënon përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar për seancat dhe rendin e ditës.
“Sot u vendos që javën e ardhshme të mbahen tri seanca. E para mbahet të hënën në orën 12:00, seancë e veçantë që shënon përvjetorin e Epopesë së UCK-së. E dyta është më 8 mars, e mërkure, nga ora 12:00 që është seancë me vazhdime me pikat e papërfunduara dhe seanca e re e Kuvendit që është caktuar për të enjten nga ora 10:00. Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditë, në shqyrtim të dytë janë dy projektligje, për pyjet dhe sigurinë e përgjithshme të produkteve. Në shqyrtim të parë janë projektligje të tjera”.
Kusari-Lila ka deklaruar se pozicioni i Kosovës në dialog është të ketë qasjen konstruktive.
“Historikisht Kosova ka qenë e bashkërenduar në hapat e saj, në proces me Serbinë me ndërmjetësit, në këtë rast ShBA-të, BE-në në kuadër të së cilës janë shtetet që e mbështetin këtë proces. Prandaj edhe në këtë fazë të procesit të dialogut, kjo është qasja e Kosovës që të nxjerr maksimumin nga hapësira e ngushtë e cila është krijuar ndër vite, më shumë se një dekadë në procesin e dialogut me Serbinë. Dhe natyrisht të sigurohen të gjithë mekanizmat garantues për ngritjen e subjektivitetit të Kosovës. Ajo çka për ne është shumë me rëndësishme, e cila fatkeqësisht është komprometuar në proceset e mëhershme, është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, njohja nga shtetet mos-njohëse, ngritja e mirëqenies dhe rritja e volumit ekonomik të Kosovës dhe vendeve të BE-së me rritjen e brendshme”, ka deklaruar Kusari-Lila.