Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nuk e kanë miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2022-2024. Gjatë diskutimeve në seancën e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal, këshilltarët opozitarë kanë shprehur qëndrimin se duhet një dakordim mes subjekteve politike për përmbajtjen e këtij dokumenti buxhetor. Pos kësaj është adresuar edhe vërejtja për mos praninë e pjesës dërmuese të Ekzekutivit gjatë shqyrtimit të kësaj kornize, që sipas këshilltarëve përkthehet si neglizhim ndaj kuvendarëve dhe propozimeve të tyre.
Përmbajtja e Kornizës Afatmesme Buxhetore Komunale (KAB) – 2022-2024 është prezantuar nga zyrtari i Drejtorisë së Financave, Zenel Ahmetaj, i cili ka theksuar se me këtë kornizë, buxheti i planifikuar i Komunës së Prizrenit për vitin 2022 është 49 milionë e 455 mijë euro, me rritje të vazhdueshme në vitet 2023 e 2024.
“Komuna e Prizrenit për vitin 2022 i ka paraparë sipas kategorive ekonomike një rritje për secilën kategori, kuptohet në dëm të kategorisë ekonomike të investimeve kapitale”, ka thënë Ahmetaj para këshilltarëve, duke sqaruar se një gjë e tillë është bërë për ti evituar keq klasifikimin e shpenzimeve.
Mirëpo kuvendarët opozitarë kanë shprehur brenga të ndryshme sa i përket procesit të planifikimit buxhetor.
“Për çdo vit kësaj qeverie i shkojnë suficit nga 7 milion euro, sepse nuk janë në gjendje me i çua mjetet në vendet e duhura”, ka thënë Shukri Quni nga Nisma, duke pohuar se praktika e bartjes së projekteve në dokumentet e planifikimit buxhetor për trevën e tij është përsëritur vit pas viti, për t’u hequr në tërësi tani në KAB-in 2022-2024. “Katër vite kanë shkuar dhe asnjë investim nuk është bërë, dhe prapë nuk është paraparë asnjë investim”, ka thënë ai.
Edhe kuvendari Petrit Hoxhaj ka shtuar se ka vërejtur se në disa fshatra të Vërrini nuk ka investime të planifikuara, si në Kobaj e Poslisht, dhe ka propozuar disa projekte në sektorin e bujqësisë.
Pranverim Berisha i Nismës, ka konsideruar se KAB-i është i mangët, pasi disa fshatra Vërrinit, sipas tij, janë totalisht të injoruar dhe të lënë anash. “Billusha, Poslishti e Kobaj nuk figurojnë fare në KAB”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se në qoftë se shikohet me kujdes KAB-i atëherë mund të shihet se projektet që kanë figuruar në vitin 2013, figurojnë edhe sot, “pothuajse 70 për qind të tyre”.
“Këta vazhdimisht kanë qenë kundër kubëzave e asfaltit. Por tani e kanë rrit buxhetin për kubëza e asfalt e zhavorr”, ka thënë Baldedaj, duke shprehur qëndrimin se në vitin 2015 buxheti për turizëm si dhe bujqësi ka qenë më i lartë sesa që është tani. “Kjo tregon pasqyrën e orientimit të kësaj qeverie, pasi 202 projekte i kanë paraparë. Këta as për 20 vjet nuk i realizojnë ato”, është shprehur Baldedaj.
Dafina Alishani nga radhët e Vetëvendosjes ka sugjeruar që KAB-i të shqyrtohet në një seancë tjetër, për shkak të mos pranisë së pjesës dërmuese të Ekzekutivit. “Propozoj që këtë pikë ta shtyjmë për një seancë tjetër, derisa të edukohet Ekzekutivi me qëndrua deri në fund të seancës, me i dëgjua kërkesat e kuvendarëve, sepse kjo është neglizhencë totale e KK-së. Këtë neglizhencë nuk e meritojmë as ne e as qytetarët, sepse ne i përcjellim kërkesat e komuniteteve që i përfaqësojmë”, ka thënë Alishani.
Alush Shala është pajtuar me shqetësimin e paraqitur për mos praninë e Ekzekutivit, sikurse edhe Pranverim Berisha e Fatmir Kastrati.
“Ne do të jemi kundër. KAB-i miratohet atëherë kur merren parasysh kërkesat. Prandaj, pajtohem me propozim e Dafinës”, ka deklaruar Kastrati.
Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka pohuar se për shkak të obligimit ligjor përkatësisht afateve, KAB-i duhet të vihet në votim. Baldedaj i AAK-së ka propozuar që partitë politike të ulen dhe të diskutojnë për gjetjen e modalitetit për aprovimin e KAB-it. “Nëse nuk duan, atëherë le ta thonë se s’janë të interesuar, sepse vet mos prania e tyre tregon se s’janë të interesuar”, ka thënë Baldedaj.
Pas votimit të 24 anëtarëve të pranishëm, kryesuesi Badallaj ka konstatuar se KAB-i 2022-2024 nuk është miratuar, pasi shumica e këshilltarëve kanë votuar kundër.