Arbëri

Podujeva dështon ta miratojë Kornizën Afatmesme Buxhetore

Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2022-2024 e ka përplasur pushtetin e opozitën në Komunën e Podujevës, tw martwn.

Debati ka shkuar deri aty sa janë përmendur edhe dhënia e ryshfeteve për tenderë nga kompani, ku familjarë të ponarëve të saj janë pjesë edhe e Kuvendit.

Në seancën kur është diskutuar kjo pikë, drejtori prë Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka treguar prioritet që janë përfshirë me këtë Kornizë. Ka thënë se me KAB-in 2022-2024 parashihet përmirësimi i infrastrukturës në qytet dhe fshatra, krijimi i një qyteti të zhvilluar me plan urbanistik, ngritja e nivelit të arsimit, duke krijuar kushte më të mira për zhvilimin e arsimit dhe duke u lidhur me ekonominë, zhvillimi i shëndetësisë duke krijuar shërbime cilësore për qytetarë, zhvilimi i kulturës dhe i sportit, mbrojtja dhe përmirësimi i ambientit, zhvillimi i kulturës, zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi i turzimit, etj.

“Për vitin 2022 është paraparë që buxheti të jetë 23 milionë e 449 mijë e 520 euro, për vitin 2023 - 24 milionë e 658 mijë e 512 euro, për vitin 2024 - 25 milionë e 859 mijë e 552 euro. Këto limite buxhetore janë të përcaktuara nga qarkorja buxhetore e cila miratohet nga Ministria e Finanave e Republikës së Kosovës. Në KAB, për dallim prej viteve tjera u jepet më shumë prioritet këtyre fushave: arsimit, ekonomisë, shëndetësisë, kulturës e sportit dhe projektit zhvillimor në fushën e infrastrukturës urbane”, ka thënë Fatlum Osmani.

Ai i ka përmendur edhe shumat nëpër këto fusha që thotë se janë më të mëdha krahasuar me ato që janë të planifikuara në vitin 2021.

Por, Mehmet Gashi, këshilltar i LDK-së, parti kjo që ka udhëhequr deri në nëntorin e vitit të kaluar, ka pasur vërejtje për mosspecifikimin e projekteve të rrugëve, etj. Këtë vërejtje e kishte pasur gjatë gjithë këtyre vjetëve Lëvizja Vetëvendosje sa LDK ishte në pushtet.

“Emërtimi e projekteve nuk është në frymën e transparencës. Shumica janë të përgjithsëuara dhe të paqarta dhe jotransparente edhe pse Lëvizja Vetëvedosje gjithherë ka proklamuar një transparencë të plotë. Në Drejtorinë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit janë të parapara 22 projekte dhe vetëm 3 prej tyre dihet cila rrugë është e planifikuar. Të gjitha tjerat janë të përgjithësuara si asfaltimi i rrugëve në qytet, asfaltimi i rrugëve në fshatra dhe nuk dihet se cilat. Edhe në Shërbime Publike janë planifikuar 13 projekte, për 10 prej tyre nuk dihet vendi i saktë apo rruga. Në Komunën e Podujejvës të gjitha rrugët janë të regjistruara”, ka theksuar Mehmet Gashi.

Ai ka pasur vërejtje edhe për mospërfshirjen e asfaltimeve në fshatrat kufitare, Murgullë, Tërrnavicë, Dumnicë, etj.

Ndërsa, këshilltarja e VV-së, Doruntina Hasani, ka thënë se për herë të parë janë mbajtur debate me qytetarë për ta përgatitur KAB-in dhe se sipas saj, edhe ata kanë vërejtje për mosspecifikimin e projekteve, por që presin që kjo të ndodhë në të ardhmen.

Këshilltarit të PDK-së, Bashkim Syla, nuk i ka pëlqyer krahasimi që kishte bërë drejtori për Buxhet dhe Financa për ndarjen buxhetore në 2021 dhe 2022, pasi sipas tij, kur është planifikuar buxheti i këtij viti vendi ka qenë në pandemi.

“Qeverisja e VV-së në Podujevë diskriminon shumë fshatra në investime kapitale për vitin 2022

Së pari dua të analizoj këtë Kornizë Afatmesme Buxhetore vetëm për vitin 2022 sepse për vitet tjera mendoj që do të ndryshojë. Sa i përket prioriteteve, shihet qartë që shumica e mjeteve janë orientuar në Drejtoritë e Urbanizimit 3,340,000 € dhe Infrastrukturë Publike 1,815,000 €, ku të dyja së bashku përfshijnë shumën 5,155,000€ nga 7,154,199 € ose 72% e buxhetit total të investimeve kapitale dhe mendoj që në prioritete kjo qeverisje është vazhdimësi e qeverisjes së kaluar”, ka thënë Bashkim Syla. “Te investimet nëpër disa fshatra keni planifikuar rreth 80,000 dhe 100,000 €, kurse në fshatin Gllamnik vetëm 30,000 € nga këto, nuk ka as planifikime për fazen e dytë të ndriçimit, as për trotuare. Prej mbi 5,000,000€ investime kapitale vetëm 30,000€ ka planifikuar kjo qeveri për fshatin Gllamnik. Edhe në shumë fshatra tjera nuk është planifikuar asnjë cent në rregullimin e rrugëve, si Lluzhan, Penuhë, Shajkoc, etj”.

Ndërkohë, Adnan Zymeri nga LDK-ja ka thënë se pushteti i VV-së me pak ndryshime e ka kopjuar modelin e KAB-it të Komunës së Prishtinës. Ai e ka akuzuar qeverinë lokale edhe si joprofesioniste dhe jokompetente.

“Keni parashikar zvogëlim të të hyrave nga lejet e ndërtimet, thuajse jemi duke hyrë në pandemi e jo që po dalim nga ajo. Në faqen 21 thuhet se Dejtoria e Inspeksionit mbikëqyr dhe inspekton të gjitha dukuritë negative që hasen në territorin e Komunë së Prishtinës. Janë kopje të planifikimeve të një komune tjetër, mungesë e transparencës dhe i përgatitur keq. Unë do të votoj kundër”.

Vërejtje për mospecifikim të asfaltimit të rrugëve e renovimit të shkollave ka pasur edhe Rafet Llapashtica nga PDK-ja, edhe pse sipas tij, të gjitha rrugët e shkollat kanë emra. Ai ka ngritur dyshime edhe për çmimin prej 250 eurove që janë blerë drunjtë dekorativë për Bulevardin e Qytetit.

Në anën tjetër, nënkryetarja Marigona Lahu, ka thënë se askush prej opozitës nuk ka marrë pjesë gjatë debateve që janë mbajtur për KAB-in.

“Kështu që të gjitha këto sugjerime që i keni tash keni mundur t’i jepni edhe atëherë. Sa u përket specifikimeve edhe unë pajtohem, por, siç e tha edhe drejtori, ky dokument nuk është definitiv dhe kur të miratohet buxheti mund të bëhen edhe këto specifikime. Sa i përket drunjve dekorativë, ai është tender i qeverisë së kaluar, por që është realizuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa sa i përket çmimit e ka përcaktuar dikush tjetër, kështu që ne vetëm kemi qenë të obliguar ta impelentojmë. Është e drejtë e juaja nëse e përkrahni apo jo, por kjo Kornizë është ndër më të mirat që e ka pasur ndonjëherë ky Kuvend”.

Fatlum Osmani ka thënë se disa projekte është e pamundur të specifikohen për shkak të numrit të madh të rrugëve ose shkollave, prorse ka thënë kur të përgatitet buxheti do të specifikohen të gjitha.

“Tani Adnani flet me aq kompetencë thuajse e ka marrë çmimin Nobel për ekonomi, ndërsa është student i skriptave. Unë kam qenë bashkatutor i KAB-it për fushën e Asimit në Komunën e Prishtinës që e ka një buxhet prej 33 milionë euro e që është gati 50 për qind më i madh se krejt buxheti i Podujevës. Na flet për kompetencë thuajse nuk i kemi parë qysh kanë qeverisë për 20 vjet, e na përpara kemi rrnu në Kinë e tash kemi ardh në Podujevë”, është shprehur drejtori Osmani. “Nuk mundesh me folë në raport me mua as për kompetencë, as për moralizim. Kompetenca jote është në ‘Toyfor’, i ke pru letrat për tender në Komunë. Në një takim të rastësishëm që e kemi pas, më fal se ndoshta nuk është vendi që po e them këtu, rastësisht jemi takuar me Bedri Maqastenën i cili njifet personalisht me Enver Zymerin, mixha jot, edhe me një shaka që ia thotë Bedri Maqastena ‘a po ju merr Agimi?’, ai tha n’krejt dynjanë nga 5 për qind është’. E për moral këtu mos gabo me fol se nga 5 për qind ju s’e konsideroni asgjë”.

E Adnan Zymeri nuk e ka mohuar e as pohuar nëse kanë paguar në komunë haraç apo jo për tenderët që i ka fituar kompania “Toyfor”, që udhëhiqet nga familjarët e tij.

“Njerëzit kur nuk kanë argumente merren me gjana personale, për ato që i kanë diskutuar atje në park, atje në rrugë”, ka thënë ndër të tjera Zymeri.

Kur është hedhur në votim, Korniza Aftmesme Buxhetore 2022-2024 nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim.