Kuvendi Komunal i Podujevës ka dështuar të miratojë buxhetin për vitin 2022. Duke e arsyetuar votën kundër, zyrtarët e subjekteve opozitare kanë thënë se pushteti komunal nuk ka marrë parasysh asnjë prej vërejtjeve që i kanë dhënë sa i përket mosspecifikimit të projekteve, ndryshimit dhe heqjes së mjeteve nga fondi i shujtave për nxënës dhe fondit për kompensimin e dëmeve në bujqësi. Por Ekzekutivi komunal i ka mohuar këto, duke thënë se opozita ka për qëllim ta bllokojë buxhetin. Sipas tyre, mosmiratimi i buxhetit do të ndikojë në shtyrjen e realizimit të projekteve
Me akuza e kundërakuza ndërmjet opozitës e pushtetit është përcjellë projektbuxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2022. Megjithëse është fundi i këtij mandati të Kuvendit Komunal, ky dokument ka dështuar të miratohet, pasi partitë opozitare kanë qenë kundër. Zyrtarët e të dyja subjekteve opozitare, LDK e PDK, kanë thënë se pushteti komunal nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e tyre sa u përket mosspecifikimit të projekteve, ndërrimit të lokacionit të disa projekteve e zvogëlimit të mjeteve për kapitale.
Përfaqësuesi i Degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka thënë se Grupi i këshilltarëve të këtij subjekti nuk e ka votuar projektbuxhetin, pasi nuk janë marrë vërejtjet që janë dhënë për Kornizën Afatmesme Buxhetore, e cila po ashtu kishte dështuar të miratohej.
“Dhe këto vërejtje kanë qenë për projektet prioritare të cilat janë grupuar në një vend, pastaj ndryshimi i destinacionit për projektet prioritare, siç janë disa shkolla, si shkolla në Obrançë dhe shkolla në Dumosh, të cilat mendojmë se janë të domosdoshme. Vërejtja e tretë është mospërfshirja dhe mosplanifikimi i shujtave për arsimin, e cila ka qenë e premtuar dhe njëkohësisht shumë me rëndësi është vërejtja e katërt, e cila është heqja e projektet të subvencionimit për fermerë të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore”, është shprehur Ekrem Hyseni. “Këto kanë qenë vërejtjet të cilat Grupi i asamblistëve të LDK-së i ka pasur dhe nuk e kanë votuar këtë buxhet, me këto arsyetime dhe ky buxhet do të miratohej nëse do të merreshin parasysh vërejtjet e asamblistëve tanë”.
Edhe këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se pushteti nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e tyre për KAB-in 2022-2024 dhe as tash në projektbuxhetin 2022.
“Fajtor për moskalim të buxhetit është ai që është në pushtet, nuk është opozita, këtë duhet me kuptu qartë. Lëvizja Vetëvendosje e di që në Kuvend nuk iu ka miratu as Korniza Afatmesme Buxhetore. KAB-i është dashtë të miratohet, pastaj të bëhen projeksionet për buxhetin për vitin 2022 dhe projeksionet për vitet 2022-23-24”, ka theksuar Rafet LLapashtica. “Ne i kemi dhënë vërejtjet tona në Kornizën Afatmesme Buxhetore për arsye se ka pasur lokalitete që nuk është paraparë asnjë cent buxhet. Janë takuar grupimet politike, po flas për Kornizën Afatmesme Buxhetore, edhe drejtori i Financave dhe kryetari Bulliqi asnjë rresht nuk e kanë përmirësuar atë Kornizë edhe e kanë sjellë edhe projektbuxhetin për vitin 2022”.
Këshilltari Llapashtica thotë se gjatë seancës kishte kërkuar nga Ekzekutivi që t’i bënte këto përmirësime dhe pastaj do ta votonin.
“Ai ka qenë një buxhet i koncentruar, i barrikaduar, bile-bile mund të them se jam befasuar se ka qenë, mund ta quaj edhe ma i padefinuar sesa LDK-ja kur e ka bërë. Asnjë emërtim të projektit drejtori i Financave dhe drejtoritë përkatëse nuk e kanë dhënë ku çka ka me u bë. Veç shuma paushalle. Kështu që Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Bulliqi nuk mund ta gjuajnë mospërgjegjësinë e vet tek opozita”.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka mohuar akuzat e opozitës. Sipas tij, nuk ka zvogëlim të investimeve kapitale.
“Në realitet ne kemi rritje buxhetore edhe në investimet në arsim, investimet në infrastrukturë edhe në investimet për bujqësi, por edhe tek investimet për zhvillim ekonomik. Dhe shifrat tregojnë realitetin. Por, arsyeja e vetme qëndron fakti se deshën ta shfrytëzojnë edhe periudhën e fushatës parazgjedhore. Gjë që mendoj se i kanë shkaktuar një dëm shumë të madh qytetarit me mosvotimin e këtij buxheti”, është shprehur Shpejtim Bulliqi. “Është kërkuar bashkëpunim gjatë krejt periudhës së hartimit të projektbuxhetit dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore dhe disa prej opozitarëve kanë shprehur pak a shumë interesimin, disa fare s’janë interesuar që të bëhen pjesë e këtij projekti, për arsye se paraprakisht e kanë pasur synimin që këtë projektbuxhet të mos e votojnë”.
Kur është pyetur pse nuk i kanë specifikuar rrugët, pasi këtë vërejtje e ka pasur gjithnjë VV-ja sa ishte në opozitë, Bulliqi ka thënë se është e njëjta formë e buxhetit që është bërë qe 20 vjet.
“Specifikimi i rrugëve është i qartë. P.sh. asfaltimi i rrugës në fshatin Buricë, asfaltimi i rrugëve, ose ndërtimi i shkollës në X fshatin. Nëse mendohet specifikim në kuptimin e paraqitjes së specifikave të thjeshta se çka ka me u punu brenda një hapësire apo projektI, ajo është diçka tjetër. Ne kemi një mori rrugësh të cilat ende nuk janë me emërtimet e tyre, kemi një mori rrugësh të cilat janë emërtuar, por të cilat nuk kanë shenja konkrete, ose së paku qytetarët e atyre rrugëve nuk kanë qenë të kënaqur me ato emërtime”, është shprehur kryetari i Podujevës.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë theksuar se janë të gatshëm ta votojnë buxhetin për vitin 2022 nëse merren parasysh vërejtjet dhe rekomandimet e subjekteve të tyre. Ndërsa kryetari Bulliqi ka deklaruar se janë vetëm dy javë para zgjedhjeve të 17 tetorit dhe se afatet kohore ua pamundësojnë marrjen e ndonjë veprimi. Por ka thënë se ky buxhet do të miratohet në muajin nëntor pas konstituimit të Kuvendit të ri Komunal.
Kjo është hera e parë që Kuvendi Komunal i Podujevës nuk arrin ta miratojë buxhetin komunal.