Arbëri

Kuvendi i Prizrenit nuk e miraton propozim-buxhetin për vitin 2022

Prizren, 13 tetor – Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të mërkurën, nuk e kanë miratuar propozim-buxhetin për vitin 2022 si dhe parashikimet për vitet 2023 dhe 2024. Në seancën e jashtëzakonshme, pas shumë polemikave ndërmjet anëtarëve të koalicionit qeverisës dhe opozitës, 15 kuvendarë kanë votuar në favor të miratimit të propozim-buxhetit, derisa 19 të tjerë kanë votuar kundër.

Para vënies në votim të këtij propozimi, drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2022 është afër 50 milion euro, prej të cilave 16.5 milionë euro parashihen për kategorinë e investimeve kapitale. Sipas saj buxheti i planifikuar për vitin 2023 është afër 52 milionë euro, dhe mbi 54 milionë euro për vitin 2024.

Haziz Hodaj i LDK-së opozitare ka shprehur qëndrimin se mënyra e përpilimit të këtij buxheti nënkupton mos realizim të buxhetit, siç ka ndodhur sipas tij në vitet paraprake të qeverisjes së VV-së në Prizren.

“Kjo qeveri komunale s’ka ditë me menaxhua buxhetin… E njëjta gjë përsëritet edhe me këtë propozim buxhet, që është puro politik, elektoral dhe partiak i VV-së. Buxheti s’mund të jetë fontanë dëshirash, ngase nëse bëhet i tillë atëherë në realizim dështon, siç ka ndodhur deri më tani”, ka thënë Hodaj.

Ai ka shtuar se me arnime nuk ka qeverisje të mirë e as ndryshim radikal. “Prandaj i kemi 1001 arsye mos me e votu këtë buxhet”, ka deklaruar ai.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se vazhdimisht ka kërkuar buxhet zhvillimor, por se një gjë e tillë po mungon edhe këtë vit.

“Kornizat e planifikimit buxhetor nuk ndryshojnë që prej vitit 2009. Forma është e njëjtë. Ju kam lutur që të ulemi e të diskutojmë, pasi buxheti nuk është vetëm i VV-së”, ka thënë Baldedaj, duke kërkuar sqarime se në cilat komuna kuvendarët e VV-së si opozitë kanë votuar për miratimin e propozim-buxhetit.

Sipas tij as legjislacioni për prioritizimin e projekteve kapitale nuk është respektuar nga Ekzekutivi i Prizrenit. Ai ka shtuar se partia e tij mbështet buxhetin nëse propozimet e saja përfshihen në këtë akt.

Simir Krasniqi i PDK-së ka vlerësuar se propozim buxheti është politik dhe se si i tillë nuk mund ta ketë mbështetjen e opozitës, pasi Ekzekutivi nuk ka ofruar mundësi për bashkëpunim në hartimin e tij.

Karanfil Haxhillari i VV-së ka kundërshtuar disa prej konstatimeve të opozitarëve, duke theksuar se VV-ja ka trashëguar një administratë me borxhe të shumta, të cilat gjatë mandatit aktual janë shlyer, derisa është diskriminuar me buxhet e projekte nga niveli qendror në vitet e shkuara. Teksa ka përmendur investimet e bëra nga Ekzekutivi, është përballë me reagimin e opozitarëve.

Shukri Quni i Nismës ka përmendur përplasjet e mëhershme të kuvendarëve të VV-së me kryetarin Haskuka, duke akuzuar këto dy palë për qëndrime jo-parimore gjatë këtij mandati.

“Ju kam thënë dhe po e përsëris, për të keq keni me u përmend”, ka thënë Quni.

Adem Shabanaj i VV-së ka mohuar se janë nxitës dhe ka shtuar se grupi i kuvendarëve të këtij subjekti kanë qenë konstruktiv edhe në kundërshtimet që kanë pasur me Ekzekutivin, por edhe me opozitën.

Diskutimet e kësaj natyre kanë vijuar edhe gjatë paraqitjeve të kuvendarëve tjerë duke akuzuar njëri-tjetrin për fushatë politike, derisa përplasja më serioze është regjistruar ndërmjet kuvendares Sherife Balaj dhe kryetarit Mytaher Haskuka, me ç’rast nga të dyja taborët ka pasur pretendime për përdorim të gjuhës jo-parlamentare. Madje opozita ka kërkuar nga Haskuka që ta tërheq një shprehje të përdorur në adresë të kuvendares Balaj, por kryetari pas përgjigjeve të dhëna nuk ka qëndruar më tej në seancën e jashtëzakonshme të KK-së.

Në vend të tij, drejtori i Administratës, Osman Hajdari është munduar që t’i qetësoj ‘gjakrat’ duke kërkuar korrektësi nga të gjithë të zgjedhurit. Në këtë pikë edhe kryesuesi i KK-së, Sulltan Hajdari ka vendosur që kuvendarët të shkojnë në pushim të drekës. Pas kthimit nga pauza, propozim-buxheti është vënë në votim, ku në seancë kanë qenë të pranishëm 34 kuvendarë, dhe shumica kanë votuar kundër. “Projekt-buxheti për vitin 2022 nuk miratohet”, ka konstatuar kryesuesi Badallaj.

Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në KK deri më datën 30 shtator të vitit vijues dhe ta dorëzojnë atë në Ministrinë e Financave.