Tre prej katër vendimeve të fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit të vlerësuara si të jashtëligjshme nga Qeveria e Kosovës janë inkuadruar në agjendën e mbledhjes së pestë të rregullt të organit më të lartë vendimmarrës komunal. Ekzekutivi lokal ka propozuar anulimin e dy vendimeve, sikurse edhe rishqyrtimin e dy të tjerave në bazë të rekomandimeve të nivelit qendror.
Por anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa në mbledhjen e fundit të këtij organi kanë vendosur që nga rendi i ditës për mbledhjen e KK-së, që do të mbahet të enjten, të hiqet propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 21 maj 2021 për lejimin e pagesës për shujta për të gjithë të punësuarit e administratës në komunën e Prizrenit. Ndërsa janë proceduar për shqyrtim: propozim-vendimi për anulimin e vendimit të datës 18 mars 2021 për huamarrje (kredi) nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); propozim-vendimi për anulimin e vendimit të datës 21 maj 2021 për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur; si dhe propozimi për rishqyrtimin e Rregullores për taksat komunale, sipas kërkesës së MAPL-së të datës 3 gusht 2021.
Kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Sulltan Badalli ka pranuar se brengos numri i lartë i vendimeve të kthyera, të cilat sipas tij janë miratuar duke pasur parasysh interesin e qytetarëve të Komunës së Prizrenit. “Është shqetësuese. Por normal, qëllimi ka qenë që gjithmonë me shku kah ajo që me i miratua vendimet për të mirën e qytetarëve. Mirëpo është diçka tjetër që ana ligjore po bie ndesh, dhe ministria i vlerëson dhe jep rekomandime adekuate”, ka thënë Badalli.
për vendimmarrjen e kundërligjshme sipas tij ndërlidhen kryesisht me nxitimin për procedimin e propozim-vendimeve të caktuara. “Problemi është se shumë propozime na vijnë nga Ekzekutivi, që kërkojnë me këmbëngulje me i fut në KK për vendimmarrje. Ne me qëllim të mirë jemi për miratimin e vendimeve që janë në interes të qytetarëve, por po ndodh që pas interpretimit ligjor të MAPL-së ato të kthehen për rishqyrtim. Pra, ne nuk duhet të ngutemi, por kam kërkuar edhe nga Ekzekutivi që mos të futen në rend dite propozim-vendimet që bien ndesh me ligjin”, ka deklaruar Badalli.
Procedimi i vendimeve të mësipërme, që janë vlerësuar të kundërligjshme nga organet e Qeverisë së Kosovës, jo rrallë herë kanë përplasur anëtarët e KK-së me Ekzekutivin komunal.
i vendimit për huamarrje nga BERZH-i, në muajin shkurt të këtij viti, nuk ishte miratuar nga këshilltarët e KK-së, gjë që pat nxitur reagimin e kryetarit Mytaher Haskuka, i cili pati akuzuar edhe disa këshilltarë nga radhët e LVV-së për koordinim me partitë opozitare për sabotimin e projekteve të Ekzekutivit. Ndërkaq grupi i kuvendarëve të LVV-së i pati kundërshtuar këto pretendime, duke e quajtur reagimin e Haskukës të turpshëm dhe njëkohësisht patën paralajmëruar përballje në organet e partisë. Megjithëkëtë kjo pikë, në muajin mars, ishte proceduar sërish në KK, me c’rast ishte miratuar me ndihmën e disa këshilltarëve nga radhët e opozitës. Partitë kryesore opozitare në këtë rast patën akuzuar pushtetin komunal për ‘blerje’ të votave.
Ndërkaq vendimi i KK-së së Prizrenit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur ishte miratuar më datë 21 maj 2021, me ç’rast këshilltarja, Sadije Osaj-Jakupi pati paraqitur kërkesën e Grupit të Grave që prindërit me banim në Komunën e Prizrenit të mbështeten me mjete nga buxheti komunal. Në këtë rast, gjatë diskutimeve ishte adresuar vërejtja që për këtë çështje duhet të ofrohet edhe një sqarim nga Ekzekutivi, por propozimi ishte vënë në votim nga kryesuesi i KK-së. “Po votohet, por s’mund të realizohet”, pati komentuar drejtori i Administratës, Osman Hajdari.
Si pasojë e mos rishikimit me kohë të vendimeve të kundërligjshme, si dhe shkallës së realizimit të investimeve kapitale, Komuna e Prizrenit nuk ishte kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021. “Kushti minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimin ligjor për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikëqyrëse) dhe kushti minimal numër 4 (shkalla e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 së paku 75%) nuk janë përmbushur”, thuhej në raportin e rivlerësimit të performancës së vitit 2019 për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021 të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.