Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është debatuar për gjendjen në sektorin e shëndetësisë në këtë komunë.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, që u kryesua nga Fatmir Gashi, e ku mori pjesë është nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, është debatuar lidhur gjendjen e shëndetësisë në komunën e Podujevës.
Në seancën e thirrur me iniciativën e 13 këshilltarëve, këshilltari i AAK-së, Patriot Rudari, si iniciues i thirrjes së seancës, para këshilltarëve ka numëruar arsyet për thirrjen e kësaj seance. Sipas tij në institucionet shëndetësore të komunës së Podujevës nuk ofrohen shërbime cilësore dhe ka mungesë të stafit profesional-specialistik mjekësor, mungesë të pajisjeve dhe mos disiplinë. Ai gjithashtu përmendi edhe mos funksionalizimin e Spitalit të Qytetit.
Në emër të Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, e konsideroi të panevojshme thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke thënë se për shëndetësinë ka çka të diskutohet, por nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në këtë sektor, kur institucionet shëndetësore janë duke ofruar shërbimet e nevojshme për pacientët.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV, Fitim Haziri, tha se në institucionet shëndetësore ka parregullsi të shumta. Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, adresoi vërejtje për këtë sektor. Ai potencoi se debati për shëndetësinë po zhvillohet në kohën kur nuk kemi drejtor të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Lidhur me këtë çështje debatuan edhe këshilltarë të tjerë.
Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, vlerësoi se seanca e jashtëzakonshme është thirrur për qëllime politike, sepse me planin e punës së Kuvendit, në seancën e muajit maj ka qenë i paraparë raporti për shëndetësinë. Ai tha se gjendja në sektorin e shëndetësisë është e kënaqshme, por se mund të bëhet edhe më shumë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve mjekësore.
Edhe
LDK-ja ankohet se pushteti në Podujevë s’i la hapësirë në komisione të Kuvendit
Këshilltari i LVV, Blerim Maçastena, duke marrë pjesë në diskutim, shtroi disa pyetje dhe kërkoi përgjigje nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Zaim Thaçi.
Ndërsa, në momentin kur drejtori i QKMF, Zaim Thaçi, doli në foltore për të dhënë sqarime dhe për t’u përgjigjur në pyetjet e këshilltarit Maçastena, këshilltarët e PDK-së dhe LVV-së (përjashto këshilltarin Maçastena), braktisën mbledhjen.
Këshilltari i Ballit Kombëtar Demokratik, Avni Islami, tha se iniciuesit e kësaj mbledhje të jashtëzakonshme është dashur të vijnë me rekomandime konkrete.