Parandalim dhe luftim të dukurisë së dhunës në familje kanë kërkuar zyrtarët opozitarë dhe ata të pushtetit në Komunën e Fushë-Kosovës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Vetëvendosje dhe e mbështetur edhe nga partitë e tjera, është thënë se statistikat e dhunës në familje janë shqetësuese. Mostrajtimi me kohë i këtyre rasteve, sipas tyre, po çon në vrasje e vetëvrasje.
“Po flasim për vajzat, për gratë, që nuk kërkojnë më shumë pos atë që u takon: barazi. Kaq kërkojnë ato. Igballe Llalloshi, Diana Kastrati, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Valbona Ndrecaj me të bijën, Sebahate Morina, e jo të vetme, kanë rënë viktima të ngecjes së sistemit gjyqësor dhe anashkalimit të gjyqësisë. Ndonëse ato shtrinë dorën për të kërkuar ndihmë, organet e drejtësisë shpërfaqën mënjanimin që u bëhet vazhdimisht”, tha Durim Hajra, shef i Grupit të asamblistëve të VV-së në Fushë-Kosovë.
“Statistikat për dhunimin e grave janë mjaft shqetësuese, ku 1 në çdo 3 gra është dhunuar në forma të ndryshme. Edhe sa gra duhet të dhunohen, të vriten, në mënyra më mizore, që të luftojmë brutalitetin që shpërfaqim çdo ditë ndaj grave dhe vajzave tona. Raste më të dhimbshme e të pafalshme për secilin nga ata të cilët janë të thirrur për të mbrojtur secilin banor brenda kufijve të Republikës së Kosovës, janë ato raste kur ishin nën përkujdesjen e tyre”, tha Laureat Gjinovci, këshilltar komunal i LDK-së.
“Ne si Kuvend duhet të përdorim çdo mundësi dhe mekanizëm që është në dorën tonë për parandalimin e dhunës. Rastet e fundit janë për të ardhur keq për ne si shoqëri. Ne duhet të forcojmë sistemin e sigurisë në vendin tonë që bartësit e dhunës të kenë dënimin adekuat. Ne kemi obligim individual, kolektiv dhe institucional të krijojmë një shoqëri dhe një vend të sigurt për të gjitha gratë dhe nënat”, tha Aida Alimi, këshilltare komunale e PDK-së.
“Unë kam qenë që e kam nënshkrua marrëveshjen më 2022, që ne e kemi obligim që brenda vitit t’i japim 4200 euro për rastet që ndodhin në dhunën në familje në Fushë-Kosovë”, tha nënkryetari i Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi.
Ndërkohë zyrtari për barazi gjinore, Abaz Xhigoli, ka thënë se gjatë vitit 2022 në Fushë-Kosovë janë shënuar 84 viktima të dhunës në familje, prej të cilave 5 janë të vendosura në strehimore, për 17 është dhënë urdhri mbrojtës, 41 nuk kanë pranuar të vendosen në strehimore, 3 kanë shkuar në familjet e tyre dhe 3 të tjerave po u paguhet qiraja.