Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të shfuqizojë Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ndërkohë që i ka dhënë dritën e gjelbër për dekretim nga presidentja Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Të dy ligjet ishin dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë nga deputetët e legjislaturës së kaluar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, pesë nene të ligjit për KPM-në bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Paragrafë të nenit 15 “Zgjedhja e anëtarëve të KPM-së, nenit 18 “Shkarkimi i kryetarit dhe anëtarit të KPM-së”, nenit 25 “Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre”, nenit 43 “Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave” dhe të nenit 60 “Sanksionet me gjobë”, sipas vendimit janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë për vendimin për Ligjin për KPM-në:
Ndërkohë që nenet e kontestuar të Ligjit për KPK-në janë shpallur në pajtim me Kushtetutën.
“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë për vendimin për Ligjin për KPK-në:
S’e komenton shfuqizimin e Ligjit për KPM-në, Haxhiu: Vendimi për Ligjin për KPK-në, fitore e madhe për reformën në drejtësi
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritë të gjelbër Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke e cilësuar fitore të madhe për reformën dhe tërë sistemin e drejtësisë.
“Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë. Rrjedhimisht KPK-ja nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste dhe të pabalancuar e të dominuar pothuajse 100% me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, ndryshimet e tilla do t’i sjellin sistemit profesionalizëm dhe integritet, transparencë dhe llogaridhënie me synim të rritjes së efikasitetit profesional, rritjes së integritet dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Haxhiu nuk ka komentuar mbi shfuqizimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, ku sipas njoftimit të Kushtetueses, pesë nene të Ligjit për KPM-në bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.