Arbëri

Kushtetuesja pezullon vendimin e Qeverisë për disa prona të Graçanicës që i dha në shfrytëzim

Mbledhja e Qeverisë

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ia dhënë shoqatës “Jetimët e Ballkanit” në shfrytëzim një pronë në Graçanicë për ndërtimin e qendrës për autizëm, sindromë doën dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë. Vendimi pati hyrë në fuqi më 10 shtator 2024. 

Me kërkesën e Komunës së Graçanicës, Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 tetor 2025 me arsyetimin se masa i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” në komunë, si dhe është në “interes publik”. 

Qeveria në vendimin që pati marrë më 28 gusht pati vendosur që disa parcela në Komunën e Graçanicës t’i jepeshin në shfrytëzim shoqatës për një periudhë prej 99 vjetësh. 

Komuna e ka kontestuar vendimin e Qeverisë me arsyetimin se bie ndesh me disa nene të Kushtetutës dhe se procesi i miratimit të vendimit nuk ishte transparent, gjithëpërfshirës, por i njëanshëm dhe përjashtues. 

“Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu, me rastin e vendosjes, nuk e ka marrë parasysh ndjeshmërinë se në pyetje është një komunë me shumicë serbe, edhe pse ndjeshmëria për komunitetet dhe komunat me shumicë serbe njihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale. Me miratimin e vendimit të lartpërmendur, Qeveria e Republikës së Kosovës e kufizon komunën e Graçanicës, këtu paditësin, në ushtrimin e kompetencave vetanake të parapara me nenin 17 të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat nuk mund të kufizohen dhe as hiqen me ligje tjera”, thuhet në arsyetimin e Komunës. 

Gjykata ka vlerësuar se pretendimet dhe faktet e prezantuara nga Komuna e Graçanicës ngrenë çështje të nivelit kushtetues që ndërlidhen me garancitë kushtetuese për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale dhe legjislacionin me interes vital, sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.