Ende pa u marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që Ligji për paga të jetë i pezulluar për 3 muaj, sindikalistët e arsimit kanë vendosur të hyjnë në grevë. Masa e marrë e Kushtetueses, madje, është thënë se mund të shkaktojë grevë të përgjithshme pa afat të caktuar në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta miratojë përkohësisht kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullim të Ligjit për paga. Kushtetuesja ka vendosur që kjo masë e pezullimit të zgjasë deri më 30 mars të vitit 2020, shkruan sot Koha Ditore.
Institucioni i Avokatit të Popullit, javën e kaluar, e kishte dërguar Ligjin për paga në këtë gjykatë pasi kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër këtij ligji.
Të enjten, të pakënaqura me vendimin e Kushtetueses janë shprehur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë, të cilat kërkonin që nga ky muaj të nisë zbatimi i Ligjit për paga.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, e ka quajtur “shokues” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa ka paralajmëruar se javën e ardhshme Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të vendosë për hapat që do t’i ndërmarrë. Nuk e ka përjashtuar grevën në afat të pacaktuar.
Edhe kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se shumë shpejt do të mblidhet Këshilli Grevist për të vendosur se si do të veprojnë. Pas këtij vendimi, sipas tij, sistemi shëndetësor mund të futet në kolaps meqë mund të ketë grevë në afat të pacaktuar.
Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, ka deklaruar se të premten do të mblidhet Këshilli Drejtues i Sindikatës dhe të vendosë se në çfarë mënyre do ta kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Punëtorët shëndetësorë të institucioneve publike, të premten, do të mbajnë grevë nga ora 07 deri në ora 15:00, derisa në arsim, të gjitha çerdhet, shkollat e universitetet publike do të mbajnë grevë dy-orëshe. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)