Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja gjen shkelje në vendimin e Supremes për hidrocentralet në Deçan, e kthen në rishqyrtim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur shkelje në vendimin e Gjykatës Supreme për pezullimin e punëve për hidrocentralet në Deçan dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim.

Sipas vendimit të komunikuar të martën, Kushtetuesja ka konstatuar se “aktgjykimi i Supremes është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme”.

Kushtetuesja thotë se Gjykata Supreme, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhen të plotësohen për të vendosur pezullimin e vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Madje, siç citohet në vendimin e Kushtetueses, Supremja as nuk kishte shqyrtuar nëse pala paditëse kishte legjitimitet procedural, siç kërkohet me dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Siç thuhet në vendim, Supremja thjesht kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore duke mos adresuar asnjë nga argumentet e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur dy herë që t’i pezullonte lejet dhe licencat të tri hidrocentraleve të KELKOS-it në Lumbardhin e Deçanit, pasi në herën e parë Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rivendosje.

Vendimi për lejet ujore e mjedisore dhe licencave për prodhimin e energjisë, të cilat i kanë lëshuar institucionet vendore për hidrocentralet “Deçani”, “Bellaja” por edhe “Lumbardhi 2”, vazhdon të jetë i pezulluar.