Arbëri

Kushtetuesja kthen në rishqyrtim çështjen e hidrocentraleve të “Hidroenergjisë”

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Supremja nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm mbi pezullimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit në rastin e parashtruar nga “Hidroenergji”, e cila ka kërkuar vlerësimin e kushtetueshmërisë së Aktgjykimit të Supremes.

Rasti lidhet me vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë për lëshimin e lejes ujore dhe lejes mjedisore për Ujërat e Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilat i kanë mundësuar “Hidroenergjisë” investimin përmes ndërtimit të infrastrukturës për hidrocentrale me qëllim të ushtrimit të aktivitetit të tij biznesor për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Ndërkohë, dy organizata joqeveritare patën kontestuar ligjshmërinë e vendimeve me padi në Gjykatën Themelore duke propozuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve nga dy ministritë deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.

Sipas Kushtetueses, Gjykata Supreme nuk ka adresuar argumentet kur ka miratuar qëndrimin e Themelores dhe Apelit mbi këtë çështje dhe ka vendosur që çështjen ta kthejë në rishqyrtim në Gjykatën Themelore.

Ndërkohë, Themelorja e kishte aprovuar si të bazuar propozimin e dy organizatave dhe kishte shtyrë ekzekutimin e ministrive, përkatësisht lejes ujore dhe mjedisore derisa gjykata të vendoste me vendim përfundimtar për këtë.

Parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit të gabuar të ligjit.

Ndërsa, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit, Gjykata konstatoi se Supremja përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit.

“Gjykata në rastin kur ‘Kelkos Energy’ ishte parashtrues, kishte theksuar rëndësinë e vendosjes së masave të përkohshme, përkatësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhjen meritore të çështjeve duhet të jetë i arsyeshëm, proporcional dhe i bazuar në arsyetim të detajuar të plotësimit të kritereve të përcaktuara në kontekst të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative. Gjykata duke dhënë një vlerësim të tërësishëm të rrethanave të rastit konkret, konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, nuk ka adresuar plotësisht dhe në mënyrë të qartë faktet vendimtare dhe kushtet ligjore të përcaktuar me nenin 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ, përkitazi me lejimin e shtyrjes së ekzekutimit të dy vendimeve të Ministrisë përkatëse për Mjedis, dhe si rrjedhojë të njëjtat janë përfshirë me interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, të cilat kanë rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës”, ka thënë Kushtetuesja në vendimin e saj.

Gjykata ka theksuar se Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin e vendimeve të kontestuara për lëshimin e lejes ujore dhe asaj mjedisore nga Ministria përkatëse për Mjedis para gjykatave të rregullta, deri sa këto të fundit të vendosin lidhur me meritat e padisë.

Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i 19 korrikut 2022 i Gjykatës Supreme, Aktvendimi i 26 majit 2022 i Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimi i 12 prillit 2022 i Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore.