Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kusari – Lila: Ka pasur në mënyrë sistematike falsifikime të dokumenteve për qëllim të tjetërsimit të pronave

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se një prej problemeve kronike të rënda e me shumë peshë në jetën e qytetarëve të Kosovës është mënyra se si është trajtuar prona publike e Kosovës.

Ajo ka folur për rastin e fundit në Komunën e Vushtrrisë, për pronën e ish-Vicianumit.

“Në ditët e fundit u aktivizua rasti i cili tregon mungesën e përgjegjësisë së komunës ndaj pronës publike. Nuk janë fenomene akute që paraqiten ad-hoc në opinione. Janë përfaqësim i keqpërdorimit sistematik, manipulimit e abuzimit me pronën publike. Keqpërdorimi i pronës publike dhe transformimi i saj fillimisht jashtëligjshëm e pastaj duke u legalizuar nga institucionet që në vend se të ndalonin tjetërsimin kanë miratuar atë. Tjetërsimi i pronave jashtëligjshëm drejtpërdrejt ka ndikuar në numrin më të vogël të çerdheve, shkollave, qendrave të mjekësisë familjare, stacioneve të autobusëve, qendrave kulturore e institucioneve tjera. Efektet e tjetërsimit ndjehen çdo ditë, e do të kalojë kohë e gjatë që do të ndjehen pasojat negative”, ka folur Kusari-Lila nga foltorja e Kuvendit.

Kusari-Lila ka folur se si në mënyrë sistematike janë falsifikuar dokumente për të tjetërsuar prona.

“Përkundër faktit që në vitin 2003 ishte administrata ndërkombëtare e UNMIKU-t që vlerësonte të jashtëligjshme e me bazë diskriminuese transformimet që ndodhën pas vitit 1989, për arsye se ishin të bazuara në sistem represiv e diskriminues, prapë u zbulua mënyra se si të realizoheshin e legalizoheshin transformimet nga institucionet e Kosovës në dëm të qytetarëve. Në mënyrë sistematike u falsifikuan dokumente që kinse tregonin se prona të caktuara ishin privatizuar nga serbët gjatë periudhës së okupimit, përderisa evidentohej se kinse tash ato prona të njëjta tani u shiteshin shqiptarëve. Shumica apo numër i konsiderueshëm i këtij dokumentacioni ishte përgatitur në periudhën e pasluftës apo pas shpalljes së pavarësisë, e jo në datat në të cilat figuronte transformimi. Me dhjetra e qindra transformime të tilla kanë ndodhur në komuna të Kosovës. Zinxhiri përfshirë zyrtarë komunalë të kadastrit, avokatë të komunës e përfaqësues të gjykatës, të cilët kanë legjitimuar padrejtësisë. Ata që mbeten të thirrur në ruajtje të pronës publike u bën pjesë e humbjes së saj”, ka thënë Kusari-Lila.

Në anën tjetër ajo ka folur edhe për borxhin e madh prej 180 milionëve eurove që e ka të trashëguar Ministria e Infrastrukturës për shpronësime. Kusari-Lila ka thënë se Qeveria e kaluar në buxhetin e këtij viti ka paraparë vetëm 7.39 milionë euro për këtë çështje.

Edhe Kusari-Lila: Vjedhjet e fundit janë zinxhir, ishin planifikuar për të fshehur një krim më të madh Arbëri Kusari-Lila: Vjedhjet e fundit janë zinxhir, ishin planifikuar për të fshehur një krim më të madh

Kusari-Lila po ashtu ka thënë se me procesin e privatizimit janë bërë shkelje tjera. Ku është privatizuar prona e më pas i është dhënë institucioneve për shfrytëzim me koston dhjetëfish më të madhe për përfitime të personave të caktuar.

“Janë borxhe 180 milionë euro në MI për shpronësime, 180 milionë euro të miratuara në buxhet. Ndërsa Qeveria e kaluar në buxhetin e këtij viti ka paraparë vetëm 7.39 milionë euro për shpronësime, pra vetëm 4 për qind të kësaj shume”, tha Kusari-Lila, që ka bërë thirrje për hetime.