Arbëri

Kusari-Lila: Pse elektorati s’e kupton që një grua është e prirë të ketë suksese në udhëheqjen e komunës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka pyetur se pse elektorati nuk arrin ta kuptojë që një grua është e prirë të ketë suksese në udhëheqjen e një komune për shkak të disa arsyeve që ka përmendur, veçanërisht ato të edukimit dhe ndjeshmërisë.

Në tryezën “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, në ditën e dytë të konferencës rajonale që po mbahet të shtunën në Prishtinë, Kusari-Lila ka rrëfyer momentet e veçanta kur u bë gruaja e parë që u zgjodh kryetare e një komune. Në fund të vitit 2013, Kusari-Lila pati marrë drejtimin e Gjakovës.

“Në momentin e marrjes se detyrës gjithmonë e kam pyetur veten pse nuk janë zgjedhur më shume gra dhe pse nuk e kupton elektorati qe gruaja është më e prirë të kryejë me sukses nivelin e qeverisjes lokale për shkak të kompleksitetit dhe dimensionalitetit, po ashtu edhe qasjes dhe kontaktit të drejtpërdrejtë sesa burrat. Veçanërisht në kontestin ballkanik, për mënyrën se si rritemi, se si edukohemi dhe ndjeshmërinë që kanë gratë për çështjet prej atyre bazike, siç është qasja në ujin e pijes, angazhimi rreth familjes e deri tek ngritja dhe prezenca në sektorin e punës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se si kryetare e Komunës ka pasur angazhim që gratë të kenë sa më shumë prezencë në institucione të ndryshme.

“Edhe kryeprokurorja e Prokurorisë në Gjakovë ishte grua sa isha kryetare”, ka shtuar deputetja.

Si dukuri shqetësuese, Kusari-Lila e ka përmendur lëshimin e mësimit nga vajzat e komunitetit rom, ashkali e egjipitan.

“Gjakova ka përqindje të madhe të këtij komuniteti dhe ikja nga shkolla nga vajzat mbetet ende shqetësues”, është shprehur deputetja e vv-SË.

Kusari-Lila ka përmendur edhe disa veprime që ka ndërmarrë si kryetare e Gjakovës për t’i ndihmuar gratë.

Ndërkohë, Katarina Adjancic, zëvendëskryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka thënë se në këtë komunë ka katër gra drejtoresha, të cilat i ka konsideruar të suksesshme.

Adjancic ka përmendur subvencionet prej 300 për çdo fëmijë të lindur apo dhuratë 500 euro për çdo çift të ri, “si shembuj për komuna të tjera”.

Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut ka kërkuar që të ketë më shumë hapësira për nënat që dalin me fëmijë me karrocë. Për këtë, ka falënderuar Policinë e Kosovës që po e bën të pamundurën për të pasur këto hapësira.

Ajo është shprehur optimiste se deri në fund të mandatit do të jenë “storie suksesi për gratë”.

Me këtë ka ironizuar deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, e cila ka uruar të mos shkohet në zgjedhje në komunën veriore dhe “të ndalet entuziazmi”.

Ka folur edhe ish-kryetarja e Preshevës, Teuta Arifi.