Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, derisa ka folur për sektorin e shëndetësisë gjatë dy vjetëve qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ngecja në këtë sektor ka ndodhur si pasojë e domosdoshmërisë për ndryshime strukturore.
E ftuar të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Kusari-Lila është deklaruar edhe për funksionalizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore gjatë dy vjetëve të mbetur të këtij mandati qeverisës.
Ajo ka thënë se ky sistem do të funksionalizohen në këtë mandat qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se beson që angazhimi aktual po dërgon drejt rezultateve pozitive në këtë aspekt.
“Sistemi i informimit shëndetësor dhe sistemi i sigurimeve shëndetësore do të duhej të funksionalizohen në tërësi në mandatin e qeverisjes Kurti 2. Mund të them te ju ‘do të’, me bindjen që potenciali dhe angazhimi në hapa po e çon te ajo që do të finalizohet”, ka thënë ajo.
Lidhur me largimin e mjekëve nga sektori publik shëndetësor, Kusari-Lila ka thënë se me Ligjin për Paga, nga i cili ka ndryshime edhe në pagat e mjekëve, ofron mundësinë që ata të cilët janë larguar, me stabilizim të pagave, do të kthehen në këtë sektor.
“Sa i përket largimit të mjekëve, ajo që është adresuar drejtpërdrejt me ligjin e pagave, që ndoshta në aspektin sektorial më së shumti është ndikuar te sektori i shëndetësisë, te pagat e mjekëve por gjithashtu edhe te ndikimi dhe stimulimi i atyre mjekëve që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik. Ndikimi do të vërehet prej muajit shkurt, gjegjësisht kur kryhen pagesat. Nuk mund të parashoh mbyllje të klinikave private, por se mjekët që janë të angazhuar në sektorin publik mund të jenë më të qetë dhe të fokusuar në këtë sektor. Përvoja është shumë e mirë për të gjithë ata që kanë shkuar, por besoj që të ofron mundësinë që të njëjtit kur të stabilizohet sektori edhe në aspektin e pagave edhe të menaxhimit të mirëfilltë, do ta kenë mundësinë të kthehen dhe të bëhen pjesë e sektorit. Tashmë janë disa sektorë në kuadër të shëndetësisë, disa specializime specifike që ka mungesë dhe shihet një deficit i frikshëm dhe ka mundësi që me këto mekanizma që shteti i ka instaluar dhe tashmë do të shohim rezultatin që ata që janë larguar të kthehen”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për qeverisjen përgjatë dy vjetëve, ajo ka thënë se për dy vjet ka pasur stabilitet politik në qeverisje dhe se ka qenë qeverisje pa korrupsion, nën udhëheqjen e Albin Kurtit.
Ndërsa, ka folur për punësimin e grave, ajo ka thënë se janë mbi pesë mijë gra përfituese të programit të skemës së punësimit.
“Janë mbi 5 mijë që janë përfituese të programit të skemës së punësimit, punësim të qëndrueshëm. Ka një mori mbështetje dhe programe që nuk kanë qenë asnjëherë të lansuara përmes Ministrisë së Punës”, ka thënë ajo.
Sipas Kusari-Lilës, me qeverisjen Kurti ka pasur më shumë mundësimi punësimi.
“Po ka më shumë mundësi punësimi. Kemi filluar të ballafaqohemi me atë që shihet si mungesë e punëkërkuesve në veçanti disa profesione që kërkojnë përgatitje profesionale. Kjo vjen si rezultat i tërheqjes së shumë punëtorëve të Ballkanit Perëndimor në Evropë”.
Ndërkohë, Kusari-Lila ka shtuar se fokusi i Qeverisë do të jetë te Fondi Sovran. Ka theksuar se fondi do të jetësohet brenda këtij viti.
Ajo ka thënë se po finalizohet edhe projekti për ngrohjen qendrore në shtatë qytete të Kosovës.
Kusari-Lila: Do të mund të ishim më efikas në kalimin e disa projektligjeve të rëndësishme
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e pyetur se çfarë do të mund të bënte qeverisja aktuale më ndryshe po të mund të kthente kohën prapa, ka thënë se do të mund të ishte më efikase në kalimin e disa projektligjeve të rëndësishme.
“Si Kuvend, po nisem nga pozita aktuale, do të mund të ishim shumë më efikas në kalimin e disa projektligjeve të rëndësishme, si ligjin për pagën minimale, e pastaj votimi që ka mbetur ende, për reformën e skemave sociale e pensionale, gjithashtu edhe një mori projektligjesh tjera të rëndësisë së veçantë, të cilat na kërkohet të kemi mundësi e fokus më të madh për t’i kaluar”, tha Kusari-Lila në “Interaktiv” të KTV-së.