Arbëri

Kusari-Lila: Ideale do të ishtë shkuarja në zgjedhje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, si ideale në këtë situatë e sheh shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Kusari-Lila thotë se edhe po të bëheshin 61 deputetë, nuk mund të konsiderohet qeveri stabile sepse pastaj çdo deputet do e shihte veten si përcaktues në çdo seancë.
“Në grupin parlamentar të LVV-së kemi diskutuar disa herë për skenarët që mund të shkojmë përpara në situatën kur kemi pasur bllokadë. Unë në vazhdimësi kam thënë se zgjedhjet duket se janë zgjidhja e vetme. Në secilin rast, funksioni i Kuvendit dhe fragjiliteti i Qeverisë me 61 deputetë në Kuvendin e Republikës – e para është stabiliteti, nuk ke kuvend stabil ndërsa e dyta fragjiliteti është i madh për Qeverinë. Secili deputet a deputete bëhet përcaktues se a do të ketë apo jo seancë të suksesshme”, deklaroi Kusari-Lila.

Duke e mbrojtur qëndrimin se zgjidhje janë zgjedhjet, Kusari-Lila theksoi se vetëm pas pak muajsh vijmë në procesin e zgjedhjes së presidentit të shtetit dhe me një qeveri siç e quajti – të brishtë, do të ishte e vështirë.

Por, paraprakisht ajo tha se si zgjidhje e sheh edhe mbështetjen nga ndonjë subjekt politik që të kalohen disa procese të rëndësishme, siç është votimi i buxhetit.

“Në këtë rast kemi pak muaj më vonë skadimin e mandatit të presidentes së vendit, një proces i cili lidhet me zgjedhjen apo votimin për të parin e vendit apo për të parën e vendit dhe nëse duam që në këtë situatë t’i evitojmë shkuarjet në zgjedhje pas disa muajve atëherë mund ta bëjmë tani në procesin kur sapo janë administruar një palë zgjedhje, nëse jo, nëse duhet të pritet deri në vitin tjetër dhe mund të ketë një qeveri të brishtë atëherë zgjidhja tjetër është ajo që e kam thënë edhe më parë publikisht që të ketë një dakordim me njërin nga subjektet politike në Kuvendin e Kosovës, për ta tejkaluar këtë fazë kalimtare dhe kjo ka të bëjë me miratimin e buxhetit dhe miratimin e disa marrëveshjeve” deklaroi deputetja Kusari-Lila.

Sipas Kusari-Lilës, partitë e opozitës së deritanishme, duket se po i presin edhe rezultatet e zgjedhjeve lokale për t’u orientuar dhe vendosur se si do të veprojnë tutje në nivel nacional.

Sa i përket seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila deklaroi se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe se nuk kanë votë për asnjë nga nëntë deputetët e Listës Serbe.

Por, sipas saj në rast se nesër do të jetë i propozuar emri i deputetit Nenad Rashiq, atëherë nuk ka asnjë arsye që të mos votohet nga të gjithë deputetët, ndërsa për deklarimin e tij të sotëm se e ka lënë të hapur mundësinë e moskandidimit për nënkryetar, thotë se s’është në dijeni.

“Uroj që të marrin pjesë, nuk ka asnjë arsye më për ata të mos marrin pjesë as në kryesinë e kuvendit apo të jenë pjesë e atij vendimi a agjende legjislative, për arsye se të vetmin argumentim në raport me votimin për kandidatët, qoftë në anën e Listës Serbe apo emri i Rashiqit, ishte argumentimi i tyre se ne jemi duke bërë shkelje kushtetuese se me ndarjen e votimit të nënkryetarëve ne kemi shkelur Kushtetutën e Kosovës, e kjo doli e pavërtetë dhe doli e pabazë”, theksoi ajo.

Kusari-Lila tha se megjithatë, duke u bazuar në pikën 148 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, puna e Kuvendit duhet të vazhdojë, me apo pa nënkryetarin serb.

“Edhe në rastin kur ezaurohet 12 ditëshi që e shoh paksa të vështirë sepse mund ta përfundojmë më herët. Por, në rastin e tillë kur nuk ka sukses votimi për asnjërin prej kandidatëve atëherë mund të procedohet, vazhdohet tutje me mbledhje të kryesisë së kuvendit, me seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por pa nënkryetarin nga radhët e Listës Serbe ose nga komuniteti serb”, ka deklaruar deputetja Mimoza Kusari-Lila në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Të premten, 10 tetor, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00, njoftohet në faqen zyrtare të Kuvendit.

Prej 8 tetorit ka nisur afati 12-ditor pë konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese.

Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, e cila ishte kontestuar edhe nga një numër i partive në Kuvend që ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare. Kësisoj, gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka elaboruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar. Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë për, kundër apo duke abstenuar.